Horge Lorenco ka marrë një fitore të rëndësishme në Çmimin e Madh të Barcelonës në MotoGP, duke iu afruar në vetëm 7 pikë bashkëkombësit të tij, Dani Pedroza, që aktualisht kryeson renditjen e Botërorit.
Lorenco bëri një nisje perfekte, duke harruar menjëherë problemet e shfaqura një ditë më parë në kualifikuese dhe duke arritur të mbajë lehtësisht prapa si Pedrozën, ashtu edhe Markez, të cili po e ndiqnin furishëm. Ndonëse nuk krijoi diferencë ndaj tyre, Lorenco thjesht ishte një vëzhgues i duelit mes pilotëve të të njëjtës skuadër, pasi gjatë gjithë garës, Markez u mundua të merrte vendin e dytë por pa sukses.
Ndërkohë, në vendin e katërt përfundoi Valentino Rosi, disi më i shkëputur nga grupi i kreut por që gjithsesi arriti të dhuronte kohë të përafërta me kryesuesit e garës. Italiani shpëtoi mirë nga një përplasje e mundshme me Bautista në xhirot e para.
Vendi i pestë i shkoi Bradl me Honda, i ndjekur nga Smith me Jamaha dhe Doviciozo me Dukati. Më pas ishin vetëm motorët CRT, pasi Bautista, Kraçlou, Ianone e Heiden u rrëzuan me radhë, duke mos mbyllur dot garën. (LajmeShqip.com)
Renditja e Botërorit për pilotë:
123 Dani Pedroza (Honda)
116 Horge Lorenco (Jamaha)
93 Mark Markez (Honda)
71 Kal Kraçlou (Jamaha Tek 3)
60 Valentino Rosi (Jamaha)
59 Andrea Doviciozo (Dukati)
45 Niki Hejden (Dukati)
Sunday, 16 June 2013 22:56