Sigal Prishtina sfidon skuadrën nga Kazakistani, Astana. Klubi më i suksesshëm në vendin tonë, për herë të parë përfaqëson Kosovën në një eveniment të nivelit të tillë.
Krerët e ‘bardhekaltërve’, në një konferencë për media, kanë bërë më dije se më kohë janë bërë gjitha përgatitjet e duhura për duelin me Astanan, skuadër kjo e nivelit të lartë evropian.
Prishtinasit janë të vetëdijshëm se i pret një përballje e vështirë, por ata premtojnë se do të japin më të mirën në këtë sfidë tejet të rëndësishme.
Menaxheri i Sigal Prishtinës, Florian Miftari, tha se skuadra e tij gjendet në prag të një dite historike, sepse sipas tij, Sigal Prishtina luan ndeshjen e parë si nikoqir në FIBA Euro Cup. Ai thotë se sfida me Astanan është tejet e rëndësishme, por Miftari është i bindur se skuadra e tij është e përgatitur në gjitha aspektet për t’u përballuar me skuadrën nga Kazakistani.
Miftari është i vetëdijshëm për kundërshtarin e radhës e cila ka një buxhet pesëmilionësh, por ai beson se basketbollistët e Sigal Prishtinës do të bëjnë më të mirën.
“Besoj se ekipi është shumë mirë i përgatitur duke marrë parasysh se ne kishim një sfidë të cilën nuk e kaluam me sukses dhe ka shumë faktor. Besoj se ka qenë një rrugë shumë e gjatë dhe e mundimshme duke e marrë parasysh se nuk kemi mundur të kalojmë nëpër Serbi, vazhdimisht probleme dhe mendoj se ka qenë edhe ndeshja e parë, do të thotë ka pasur vend për justifikime që disi të ngushëllohemi. Mirëpo, ndeshjen që luajmë brenda nuk do të ketë arsye sepse objektiv si klub e kemi ta kalojmë këtë grup. E dimë shumë mirë së kundërshtari është pretendent edhe ta fitojë ligën, sepse dihet mirë se kanë një buxhet pesë milionësh, kanë një kuadër të madh më lojtarë më emra shumë të njohur dhe normalisht se janë klub më traditë, dhjetëfishë kampionë në Kazakistan. Çdo fjalë është e tepërt për kundërshtarin, por ne nuk do të dorëzohemi duke marrë parasysh përkrahjen që do ta kemi nga publiku, veçanërisht për koreografinë që janë duke e përgatitur tashmë ‘Plisat’. Normal se ata do të jenë lojtari jonë i gjashtë dhe besoj se në kuadër të saj do të na ndihmojnë shumë që të korrim edhe një sukses siç e kemi pasur në Ligën Ballkanike”, ka thënë Miftari.
Ai ka shtuar se tani e tutje, ndeshjet e Sigal Prishtinës të këtij niveli si dhe ato të Ligës Ballkanike, do t’i organizojë Luan Maloku me kompaninë “Orange”.
Maloku, duke folur rreth organizimit të lojës mes Sigal Prishtinës dhe Astanas, premtoi një organizim të mirë. Ai thotë se Sigal Prishtina ketë e ka dëshmuar edhe në garat e Ligës Ballkanike. Maloku pohoi se nga FIBA kanë marrë një manual për organizmin e lojës së nesërme. Ai bëri të ditur se nuk do të tolerohet asnjë gabim rreth organizmit, sepse sipas tij, çdo gabim i mundshëm shkon në dem të klubit, raporton KP.
“Rreth organizmit, ne kemi marrë një manual që na përcakton të gjitha kriteret se si organizohet një lojë e FIBA-s. Është hera e parë që e bëjmë dhe normal se ndoshta gabimet na falen, por në këtë rast ne nuk do të tolerojmë që të kemi ndonjë gabim. Dyert do të hapen rreth orës 17:00, dhe i kisha lutur të gjithë që të vijnë, kisha kërkuar mirëkuptim nga të gjithë rreth asaj se sigurimi dhe policia e bëjnë kontrollin e gjithë secilit që hyn brenda, sepse në rast se ndodh ndonjë gjë, ne do të marrim një gjobë, një dënim që është e shkruar në manualin e FIBA-s”, ka theksuar Maloku.
Ai ka bërë më dijë se të gjitha mediat e interesuara për përcjelljen e kësaj ngjarje sportive, do të jenë të vendosura në një vend, dhe sipas tij, mediat do të kenë të gjitha kushtet për të raportuar për këtë ndeshje të madh që luhet në vendin tonë.
Maloku ka ftuar qytetarët që të jenë në numër sa më të madh, sepse sipas tij, Sigal Prishtina ka nevojë për përkrahje të madhe në duel me Astanan.
Përballja mes Sigal Prishtinës dhe Astanas nis në orën 19:00 dhe luhet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Tuesday, 03 November 2015 16:57