Observuesit evropian kanë kritikuar procesin zgjedhor në Turqi, me ç’rast presidenti turk Reccep Tayyip Erdogan dhe partia e tij AKP rimorën mazhorancën parlamentare në vend.
Anëtarët e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE) kanë thënë se dhuna gjatë fushatës zgjedhore ka penguar procesin e mirëfilltë zgjedhor, ndërkohë që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE) kanë shkuar edhe më larg, sa e kanë quajtur procesin të “padrejtë”, transmeton kp.
“Fatkeqësisht ne kemi ardhur në përfundim se kjo fushatë zgjedhore ishte e padrejtë dhe është karakterizuar me shumë dhunë dhe frikë. Dhe frika është armik i demokracisë, armik i zgjedhjes së lirë”, u ka thënë gazetarëve kreu i delegacionit të PACE-s, Andreas Gross.
“Euronews” raporton se të shtunën mbrëma ka pasur shpërthime dhune në qytetin pro-kurd Diyarbakir.
Partia Popullore Demokratike (HDP), e cila ka përkrahje të madhe në regjion ka pësuar humbje të madhe në zgjedhjet e së dielës. Kritikët e kanë akuzuar Erdoganin se e ka rikthyer dhunën për ta penguar mbështetjen ndaj HDP-së – gjë të cilën Qeveria e mohon.
Ndërkohë, edhe Shtëpia e Bardhë ka ngritur shqetësime rreth presionit ndaj gazetarëve, duke e pasur në mendje bastisjen e fundit të policisë turke në grupin medial opozitar “Koza-Ipek”, që njihet si media që kritikon ashpër regjimin e Erdoganit.
Nga 550 ulëse në parlamentin turk, 317 raportohet t’i ketë marrë AKP-ja e Erdoganit, ndërsa i duhen vetëm edhe 13 deputetë që ta mbështesin në mënyrë që ai të realizoj ndryshimet kushtetuese për t’i dhënë më shumë fuqi ekzekutive presidentit të vendit.
Tuesday, 03 November 2015 12:59