Vetëm dy javë para fillimit të turneut prestigjioz të Uimbëlldon në tenis, ekspertët e basteve kanë paralajmëruar se ka sinjale të forta se shumë atletë që bëjnë pjesë mes 50 më të mirëve të botës dhe që kanë qenë pjesëtarë të ndeshjeve të dyshimta, do të marrin pjesë në turneun britanik.
Një zyrtar i grupit të Njësisë së Integritetit në Tenis (TIU), tregoi për “Daily Mail” se si ky grup pune nuk është në gjendje të luftojë emrat e mëdhenj por deri tani është marrë vetëm me lojtarë të parëndësishëm.
“Rreth katër vite pas ndërtimit të TIU, unë mund të arrij në përfundimin se ata nuk janë edhe aq efektivë sa pritej, pasi ka shumë mashtrues në këtë sport. Që në fillim u bë e qartë se drejtuesit e tenisit botëror dëshironin që të fshihnin gjëra. Por që të bësh këtë punë duhet të ndëshkosh lojtarët elitarë dhe jo vetëm ata të vegjlit”, tha ai për gazetën britanike.
Sipas këtij raporti, duket absurde që një fenomen kaq i përhapur ka sjellë vetëm dënimin e tre tenistëve thuajse të panjohur në këtë sport, austriakun Daniel Kolerer, serbin David Saviç dhe rusin Sergei Krotiuk. Por zyrtari në fjalë, që ka ruajtur anonimitetin, ka bërë të qartë se janë me dhjetëra lojtarë të elitës, mes të cilëve edhe ata që kanë qenë ndër 10 më të mirët në renditjen botërore, që janë paralajmëruar në mënyrë private nga drejtuesit e tenisit botëror, pasi janë përfshirë në ndeshje që dyshohen si të manipuluara dhe ka raporte të hollësishme për baste jashtë skemës normale. Shumë prej këtyre tenistëve do të zbresin në fushat e Uimbëlldon pas dy javësh, gjë që ka detyruar policinë e krimit ekonomik në Angli të marrë masa dhe të bëhet gati për t’u vënë në veprim nëse konstatohen ndeshje të manipuluara. (LajmeShqip.com)
Sunday, 09 June 2013 08:57