Mark Markez ka vënë vulën e fundjavës së tij të rekordeve duke u bërë fituesi më i ri në moshë i një gare në historinë e MotoGP, falë suksesit në pistën e Austin. Piloti i talentuar, kampion në vitet e kaluara si në Moto3, ashtu edhe në Moto2, ka shuar të gjitha dyshimet që binin mbi të se nuk do të ishte në lartësinë e duhur për të nisur një motor Honda, pasi që në garën e dytë është ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit.
Në pistën amerikane, ai është ndjekur hap pas hapi nga shoku i tij i skuadrës, Dani Pedrosa, por arriti t’i shkëputej në xhirot e fundit për të shkuar i vetëm drejt finishit. Përveç shënimit të emrit të tij në kreun e listës së fituesve më të rinj të një gare në MotoGP, Markez është tashmë edhe në kreun e renditjes së Botërorit pas dy garave të para, pasi ka pikë të barabarta me kampionin në fuqi, Horge Lorenco.
Ky i fundit arriti të mbante ritmin e dy motorëve Honda vetëm në 5 xhirot e para, për të humbur pastaj terren, por duke ruajtur pozicionin e tretë në renditje deri në fundin e garës.
Pas tij u rendit Kal Kraçlou me Jamaha Tek3, i ndjekur nga Honda LCR e Stefan Bradl, me të dy pilotët që arritën këtë radhë të renditeshin para pilotit tjetër të Jamaha, Valentino Rosi, i cili nuk ishte në një ditë të mirë dhe nuk arriti asnjëherë t’i afrohej kohëve që dhuronin kryesuesit e garës. (LajmeShqip.com)
Sunday, 21 April 2013 22:35