Shkëlqimi në fytyrën e drejtuesve të skuadrës Jamaha në përfundim të Çmimit të Madh të Asen në MotoGP ishte i kuptueshëm: sapo kishin çuar në finish në vendin e parë një legjendë dhe në vendin e 5-të një hero të mirëfilltë. Gara e Holandës do të mbahet mend gjatë për kthimin te suksesi pas më shumë se 900 ditësh të Valentino Rosit si dhe për vendin e pestë të Horge Lorencos, vetëm dy ditë pas një operacioni për të vënë një pllakë titaniumi në klavikulën e majtë, të thyer të enjten në prova.
Që në fillim u kuptua se do të ishte një garë spektakolare, pasi në mëngjes Rosi kishte treguar se ishte në gjendje të mbante hapin e motorëve Honda. Ndërsa papritur, përkrah tij ishte rreshtuar edhe Lorenco, të cilin të gjithë e mendonin në ndonjë spital duke pushuar pas aksidentit të së enjtes dhe operacionit në vijim.
Që në xhirot e para shkëputet Pedroza, me Bradl, Markez e Rosi që i vihen nga pas. Ndërkohë, Kraçlou mban me vete Lorenco e Smith. Janë Rosi e Lorenco që bëjnë spektakël në xhirot e para me “doktorin” që kalon pengesat që kishte para dhe mbërthen vendin e dytë, ndërsa kampioni i botës në fuqi arrin të ngjitet deri në vendin e katërt.
Në xhiron e pestë është Rosi që merr kryesimin e garës, ndërsa pret që grupi i kreut të bashkohet përsëri, për të shfrytëzuar duelin mes dy Hondave dhe për t’u shkëputur, i vetëm drejt finishit deri në fundin e garës. Ndërkohë, Markez i tregon Pedrozës së nuk ka asnjë lloj miqësie mes të dyve kur zbresin në pistë, duke e parakaluar në mënyrë spektakolare kryesuesin e botërorit, i cili pak xhiro më vonë kalohet edhe nga Kraçlou, që siguron vendin e tretë në podium.
Pedroza e mbyll i katërti, por ndoshta kjo ishte gara më e vështirë për kryesuesin e kampionatit pasi pas tij renditet Horge Lorenco, i cili reziston deri në fund të garës mes dhimbjeve për të marrë një pozicion që ngjan si një fitore, sepse nuk i lejoi Pedrozës të shkëputej më shumë në kryesimin e kampionatit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 29 June 2013 21:43