Horge Lorenco do t’i nënshtrohet të dielën operacionit në klavikulën e majtë, të cilën e ka thyer për të pestën herë, pas një fluturimi në provat e lira të Çmimit të Madh të Asen në MotoGP. Spanjolli ka fluturuar nga motori në një pistë të lagur, pikërisht në një nga zonat më të shpejta, ku mendohet se ai ka qenë me 238 kilometra në orë në momentin e “fluturimit”.
Sipas asaj që është bërë e ditur nga vetë skuadra e Jamahas, pritet që Lorenco t’i nënshtrohet një operacioni korrigjues dhe normalisht nuk do të marrë pjesë në garën e fundjavës. Por shpresohet që ai të kthehet në radhët e ekipit për garën e radhës, atë të Saksenring në Gjermani që zhvillohet pas dy javësh.
Dëmtimi vjen në një moment mjaft të vështirë, pasi Lorenco në dy garat e fundit kishte siguruar dy fitore duke ngushtuar diferencën me Dani Pedrozën që aktualisht kryeson kampionatin. Ndaj Jamaha për momentin ka varur shpresat te Valentino Rosi, duke e parë atë si forcën e vetme që mund të ndalë dyshen spanjolle të Hondas nga një tjetër sukses në këtë fundjavë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 27 June 2013 22:18