Dani Pedroza ka arritur të sigurojë pole-position në Çmimin e Madh të Spanjës në MotoGP, duke vendosur rekordin e ri të pistës së Barcelonës me një xhiro të jashtëzakonshme prej 1 minutë e 40.893 sekonda. Për pilotin spanjoll të Honda, kjo arritje është edhe më e jashtëzakonshme duke parë se gjatë kualifikueseve ai u detyrua të ndalej dhe të hiqte komplet tutën e tij, pasi ishte pickuar dy herë nga një bletë.
Pedroza, që thuajse nuk kishte dalë në skenë asnjëherë gjatë provave të lira, shkëlqeu që në fillim, duke dhuruar kohë të paarritshme për ndjekësit e tij. Rivali më i madh mbeti Horge Lorenco, i cili pavarësisht problemeve në motorin e parë, hipi në atë rezervë dhe regjistroi kohën e dytë më mirë. Por spanjolli i Jamahas u desh të kënaqej me vendin e tretë në vijën e nisjes, pasi pikërisht në xhiron e fundit të provave zyrtare ishte Kal Kraçlou me Jamaha Tek 3 që siguroi vendin e dytë në vijën e nisjes me një xhiro mjaft të mirë.
Radha e dytë do të nisë me Alvaro Bautista, i cili la pas Niki Hejden me Dukati dhe Mark Markez me Honda. Vetëm vendi i shtatë për Valentino Rosin, i cili nuk po arrin të shfaqet dot mirë në kualifikuese ndonëse ka një motor të njëjtë me Horge Lorencon. (LajmeShqip.com)
Saturday, 15 June 2013 18:26