Dani Pedrosa me Honda ka fituar Çmimin e Madh të Francës në pistën e Le Mansh, duke marrë njëkohësisht edhe kreun klasifikimit të Botërorit për pilotë.
Spanjolli ka dominuar në këtë garë duke prerë finishin i vetëm, i shkëputur nga Kal Kraçlou që mori vendin e dytë pas një paraqitje që mund të cilësohet heroike, pasi ai ka arritur të garojë me një frakturë në shpatull të marrë gjatë ditës së djeshme, duke ia dalë me sukses të ngjitet në shkallën e dytë të podiumit.
Mark Markez me Hondën tjetër zyrtare u rendit i treti, ndonëse bëri një nisje shumë të dobët dhe u desh të rikuperonte xhiro pas xhiro nëpërmjet parakalimeve spektakolare që u bëri të gjithë pilotëve që gjente para.
Ndërkohë, një nga surprizat më të këndshme të kësaj gare, që u zhvillua në një pistë të lagur, ishte paraqitja e Dukatit, sidomos e Andrea Doviciozo, i cili për shumë xhiro luftoi për vendin e parë, por më pas përfundoi i katërti, i ndjekur nga shoku i tij i skuadrës, Niki Hejden.
Kampioni i botë, Horge Lorenco, u rendit vetëm i shtati, pas një paraqitje shumë të dobët, ku dukej qartësisht se Jamaha kishte vështirësi në kushtet e kësaj piste. Edhe më keq shkoi gara e shokut të tij të skuadrës, Valentino Rosi, i cili u rrëzua në gjysmën e saj dhe përfundoi në vendin e 12-të. (LajmeShqip.com)
Renditja e Botërorit për pilotë:
83 Dani Pedrosa (Honda)
77 Mark Markez (Honda)
66 Horge Lorenco (Jamaha)
55 Kal Kraçlou (Jamaha Tek 3)
47 Valentino Rosi (Jamaha)
39 Andrea Doviciozo (Dukati)
38 Alvaro Bautista (Gresini Honda)
35 Niki Hejden (Dukati)
20 Aleks Espargaro (Aspar Aprilia)
Sunday, 19 May 2013 18:37