Torsten Fink, ish-trajneri i Bazelit, ka deklaruar se Xherdan Shaqiri do të përshtatej në mënyrë perfekte me Bajern Mynih. Fink, tani trajner i Hamburgut në Bundesligë, ka qenë futbollist i bavarezëve për 6 vite, në sezonet e suksesshme 1997-2003.
Ai mendon se mesfushori kosovar, të cilin e ka stërvitur për dy vite në radhët e ekipit zviceran, do të shkëlqente në radhët e gjigandëve gjerman.
“Xherdani është një lojtar i ri i jashtëzakonshëm i cili ka aftësi driblimi të shkëlqyera”.
“Ai ishte pjesëmarrës në Kupën e Botës në moshën 17 vjeçare. Ai mund të kthehet në idhull nëse i bashkohet Bajernit të Mynihut. Thjesht prania e tij fizike do të mjaftonte”.
“Ai është i trupvogël, ashtu si Biksent Lizarazu dhe duket si një nga Breshkat Ninxha. Por ai është një djalë i shkëlqyer”, ishte komenti i Fink për mediat gjermane.
Shaqiri u kërkua gjatë merkatos së janarit nga Gallatasaraj dhe Zeniti, por ai preferoi të mbyllte sezonin te Bazel dhe të priste për një transferim te një nga ekipet e mëdha evropiane që e kërkojnë.
Jo rastësisht, drejtuesit e Bajernit kanë filluar që tani bisedimet për të siguruar shërbimet e tij. Ata do të kenë mundësinë ta shohin nga afër mesfushorin me 22 shkurt, kur të udhëtojnë drejt Zvicrës për t’u ndeshur pikërisht me Bazelin në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 01 February 2012 17:30