Blerja e re e Bajern Mynih, Xherdan Shaqiri, ka deklaruar se pret me padurim të ndihmojë bavarezët t’i kthehen lavdisë në kampionatin gjerman dhe në Evropë. Futbollisti kosovar që luan për Zvicrën, iu bashkua Bajernit nga Bazeli dhe ka treguar se është i vendosur të ndihmojë klubin për të ndalur hegjemoninë e vendosur në vitet e fundit nga Borusia Dortmund.
“Kuptohet qartë që objektivi i Bajern Mynih është të fitojë tituj. Ata nuk kanë fituar në vitet e fundit dhe tani u duhet një trofe për të ndërprerë tendencën. Unë jam i lumtur për këtë sfidë dhe mundësinë që më jepet për të fituar trofe. Jam i sigurt se nëse dhurojmë një paraqitje të mirë, këtë sezon mund të fitojmë të paktën një trofe”.
“Kuptohet që gjithçka është e vështirë pasi Borusia Dortmund ka një ekip të mirë dhe ka treguar se ka lojtarë po aq të mirë. Por në Budesligë ka edhe klube të tjera të fuqishme që janë përforcuar, ndaj besoj që do të jetë një sezon entuziazmues ku në fund të dalim ne fitimtarë”, deklaroi futbollisti kosovar.
Ai ka qenë protagonist në fushë në disfatën e rëndë 7-0 që pësoi Bazeli në Ligën e Kampioneve përballë Bajernit, duke u mundur 7-0.
“E di që shokët e ri të skuadrës do të tallen me mua për atë humbje. Ishte një moment i vështirë kur u mundëm 7-0 me Bazelin, por nga ana tjetër jam i lumtur, pasi tani jam gati të fitoj 7-0 me fanellën e Bajern Mynih”, deklaroi Shaqiri. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 04 July 2012 10:01