Presidenti i Bajern Mynih, Uli Hënes, mendon se Xherdan Shaqiri ka ende shumë rrugë për të bërë nëse do të arrijë në nivelin e Frenk Riberi. Paraqitja e mesfushorit kosovar në ndeshjen kundër Volsfburgut solli shumë vlerësime në adresë të tij, ndërsa vetë drejtori sportiv i bavarezëve, Matias Samer, e cilësoi të një klasi botëror Shaqirin për atë ndeshje mbresëlënëse.
Por Hënes ka bërë të qartë se nuk duhet kaluar kufiri me vlerësimet për Shaqirin, ndërsa mendon se lojtari ka ende hapësira të mëdha për përmirësim.
“Shaqiri dhuroi një paraqitje të mirë por nuk është ende në nivelin e Riberi”, tha ai për “Bild”. “Ai ka ende shumë rrugë për të bërë nëse do të mbërrijë në nivelin e Riberi”.
Një fakt të tillë e ka pranuar edhe mesfushori 21 vjeçar, i cili është i ndërgjegjshëm se për të ulur francezin në stol ka shumë punë për të bërë.
“Ishte një ndeshje e mirë ajo që zhvillova, por edhe unë e di që mund të përmirësohem më shumë. Nuk është e lehtë kur rivali yt më i madh për formacionin është një lojtar i klasit botëror si Riberi. Por ai vazhdon të mbetet një mik i mirë”, tregoi mesfushori që duket se për momentin e pranon pa probleme inferioritetin ndaj francezit dhe faktin se është zëvendësuesi i tij. (LajmeShqip.com)
Thursday, 18 April 2013 20:05