Ndeshja e parë zyrtare e Xherdan Shaqirit me fanellën e Bajern Mynih ka sjellë elozhe të mëdha për futbollistin shtatshkurtër shqiptar që ka pushtuar faqet e para të mediave sportive gjermane me paraqiten e tij në suksesin 4-0. Elozhet për të kanë ardhur nga persona shumë të rëndësishëm që kanë vlerësuar si golin e tij me goditje dënimi, ashtu edhe pasimet për dy golat e tjerë të shënuar gjatë pjesës së dytë të ndeshjes ku u aktivizua në vend të Frank Riberi.
“Ai është një futbollist që është në gjendje të mbajë topin dhe të dhurojë surpriza e krijimtari. Kjo e bën atë të paparashikueshëm”, ishte komenti i drejtorit sportiv të Bajern Mynih, Matias Samer.
Trajneri Jup Heinkes është i sigurt se futbollisti nuk do të “zhduket” ashtu siç ndodh shpesh me talentet që shpërthejnë në moshë të re.
“Kam bërë shumë që të realizoja transferimin e Xherdanit. Të gjithë e dinë opinionin tim dhe se unë mendoj që ai nuk ka rrezik të humbë si futbollist. Ai ka çdo gjë që i nevojitet një futbollisti dhe e tregon këtë çdo ditë në stërvitje”.
Ndërkohë, trajneri i përfaqësueses zvicerane, Otmar Hitzfeld, nuk ngurron ta krahasojë atë me një emër të njohur të futbollit gjerman, mesfushorin Mehmet Sholl.
“Nuk çuditem nga paraqita e Shaqirit. Ai është një lojtar që mund të bëjë diferencën në një klub. Nën drejtimin e Heinkes do të piqet si lojtar”.
“Që tani mund të bëjmë paralelizma me Mehmet Sholl, i cli kishte instinkte të jashtëzakonshme futbolli. Me Sholl nuk dinim kurrë nëse do të shkonte djathtas apo majtas. Shaqiri ka një forcë të pabesueshme. Ai është gjithashtu i fortë edhe psikologjikisht, mund të qetësojë menjëherë lojën e ekipit”.
“Me Sholl ka të përbashkët edhe goditjet e dënimit, i gjuan njëlloj si ai. Por do të ishte mendjemadhësi të pretendonte që tani për një vend në formacionin titullar duke ulur në stol Riberi apo Roben”, përfundoi Hitzfeld. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 22 August 2012 10:01