Xherdan Shaqiri ka ndezur më shumë atmosferën para ndeshjes Zvicër-Shqipëri duke deklaruar se do të shikonte me vëmendje situatën e mundshme të ndryshimit të kombëtares, duke luajtur për atë kosovare nëse kjo e fundit pranohet në FIFA e UEFA.
Lojtari që mban në këpucët e tij tre flamuj: atë kosovar, atë shqiptar dhe atë zviceran, ka dashur të sqarojë menjëherë se për momentin zgjidhja e tij ka qenë shumë e thjeshtë, pasi askush nga Shqipëria nuk është kujtuar ta kontaktojë në fillimet e tij.
“Shqiptarët nuk më kanë pyetur kurrë nëse dëshiroja të luaja me ta. Gjithsesi, kjo do të jetë një ndeshje mjaft emocionuese”, ka thënë futbollisti me origjinë nga Gjilani, i cili mund të luajë për kombëtaren e Kosovës në një të ardhme të afërt.
“Një situatë e tillë të bën të mendohesh. Unë jam nga Kosova. Nëse Kosova krijon një kombëtare, atëherë do të rishoh situatën”, ka pranuar ai para mediave zvicerane duke krijuar panik te tifozët e kësaj skuadre, që shohin te ai një nga yjet më të mëdhenj të së ardhmes të përfaqësueses zvicerane.
Edhe Granit Xhaka ka lënë të kuptohet se një ndryshim i kombëtares mund të jetë mëse i mundshëm. “E mendoj të realizueshëm. Por mendoj se kjo temë duhet prekur pas 3-4 vitesh dhe kushedi se çfarë ndodh deri atëherë, ndoshta unë nuk do të jem më pjesë e kombëtares zvicerane. Do të ishte një situatë krejtësisht e re”, ka treguar mesfushori që mban numrin 10 në përfaqësuen helvete.
Zëdhënësi për shtyp i FIFA-s, Valter De Gregorio, ka konfirmuar për mediat zvicerane se ekziston një vakum për rastin në fjalë dhe nëse Shaqiri e Xhaka, ashtu si kosovarët e tjerë që luajnë në kombëtare të ndryshme, mund të lejohen të aktivizohen me përfaqësuesen e Kosovës kur kjo e fundit të njihet në arenën ndërkombëtare, edhe pse personalisht e cilësonte të parelizueshme një gjë të tillë.
“Nuk kemi patur asnjëherë një rast të tillë. Kjo duhet t’i përkasë Komisionit për Statusin e Lojtarit. Në pamje të parë, një ndryshim është i parealizueshëm, pasi në të gjithë statutet thuhet se lojtari luan vetëm për një kombëtare dhe çështja në fjalë nuk përfshin asnjë prej përjashtimeve në rregulloret aktuale”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Sunday, 09 September 2012 20:52