Granit Xhaka vazhdon të jetë një nga lojtarët më të kërkuar në qarkullim edhe pse ka humbur vendin e tij si titullar në radhët e Borusia Mynshengladbah. Lacio dhe Napoli ndjekin me vëmendje situatën e futbollistit kosovar, por ai ka bërë të qartë se nuk do të heqë dorë lehët nga sfida që ka përpara në radhët e skuadrës gjermane.
Gjashtë muajt e parë te ekipi që e bleu për 9 milion euro nga Bazeli, nuk kanë qenë të shkëlqyer dhe këtë e tregon mjaft mirë fakti se te skuadra e tij e re ai është kthyer në një zëvendësues. Ndonëse trajneri Lucien Favre ia kërkoi shprehimisht drejtuesve të ekipit që të blinin mesfushorin kosovar, e ka ndëshkuar duke e ulur në pjesën më të madhe të kohës në stol, pasi sipas trajnerit ai nuk po lufton aq sa duhet për vendin e tij dhe për më tepër ka kritikuar skuadrën publikisht.
“Kjo është një situatë mjaft e vështirë për mua, që të dhemb. Në këtë moment çdo minutë lojë është e rëndësishme. Ndërkohë, duhet të vazhdoj të punoj shumë, të jem i durueshëm dhe të jap më të mirën, duke luftuar çdo ditë për të rifituar vendin tim. Ka trysni rreth e rrotull meje, por unë jam një qenie njerëzore dhe jo një robot, mund të gaboj edhe unë. Jam vetëm 20 vjeç dhe nuk jam perfekt, në të kundërt nuk do të isha te Borusia, por te një skuadër e madhe. Shpresoja dhe vazhdoj të shpresoj që njerëzit të kenë pak durim me mua”, ishin fjalët e lëshuara dje nga futbollisti për mediat gjermane.
Ndërkohë, ai ka dhënë fund të gjithë zërave që e shohin duke ndërruar skuadër në fund të këtij sezoni, duke shkuar mundësisht drejt Lacios, skuadër të cilën do ta ketë kundërshtare në Europa League në mesjavë.
“Lacio po më kërkon? Por momentin nuk po mendoj të largohem nga Borusia”, ishin fjalët e 20 vjeçarit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 12 February 2013 13:47