Bajern Mynih ka zyrtarizuar blerjen e Xherdan Shaqirit nga Bazeli nëpërmjet një njoftimi në faqen e internetit të klubit. Lojtari ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare me bavarezët, ndërsa do të aktivizohet me ta që në fillimin e sezonit të ardhshëm.
Bajerni kërkonte një mesfushor me tipare ofensive prej kohësh, ndërsa zgjodhi Shaqirin pasi Marko Reus vendosi t’i bashkohej Borusia Dortmund në sezonin e ardhshëm. Lojtari kosovar ka zhvilluar edhe vizitat mjekësore me klubin bavarez, ndërsa ka hedhur edhe firmën në kontratën e re.
“Ne jemi shumë të lumtur pasi kemi firmosur me një prej të rinjve më të kërkuar në Evropë”, ishte komenti i drejtorit sportiv të Bajern, Kristian Nerlinger.
Të njëjtin gëzim e ka shfaqur edhe trajneri i kësaj skuadre, Jup Heinkes.
“Xherdani do të përforcojë skuadrën tonë në sezonin e ardhshëm me driblimet dhe inteligjencën e tij. Kam kohë që e ndjek dhe jam i bindur se ai do të bëhet një lojtar i rëndësishëm për Bajernin”.
Megjithatë, për momentin Shaqiri po përgatitet që të përballet si kundërshtar me Bajernin, pas ekipi tij aktual, Bazeli, do të vihet përballë bavarezëve me 22 shkurt në 1/16 e Ligës së Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Thursday, 09 February 2012 11:55 