Kombëtarja e futbollit e Zimbabves, një shtet që ka probleme të shumta ekonomike, mund të detyrohet të hedhë në fushën e lojës dy portierë në ndeshjen ndaj Guineas që luhet në Konakry të dielën, e vlefshme për eliminatorët e Botërorit 2014.
Një prenotim i vonë i biletave të avionit nga ana e Federatës Zimbabviane të Futbollit bëri që në avionin me të cilin duhej të udhëtonte skuadra, të gjendeshin vetëm 14 vende bosh, nga 25 që ishin parashikuar në delegacionin e ekipit, një pjesë e të cilit ka mbetur në Dakar në Senegal, ku kishin shkuar të gjithë bashkë.
Trajneri gjerman Klaus Diter Pagels dhe doktori i ekipit hipën në avion bashkë me 12 lojtarë, mes të cilëve ishin portierët Uashington Arubi dhe Maksuell Niamupangedengu.
Mediat afrikane raportuan se një prej mesfushorëve të përzgjedhur në aeroport, nuk po gjente dot pasaportën e tij në udhëtimin drejt Guineas dhe u bllokua në Nairobi të Kenias, duke bërë që tashmë trajneri Pagels të kishte në dispozicion vetëm 11 lojtarë, 2 prej të cilëve portierë.
Federata e Zimbabves ka lajmëruar FIFA-n për situatën ekstreme dhe ka bërë të qartë se po mundohet në të gjitha mënyrat që të dërgojë të paktën edhe një futbollist në Guinea për takimin e nesërm. (LajmeShqip.com)
Saturday, 15 June 2013 18:30