Mali i Zi ka barazuar 1-1 me Anglinë në Podgoricë duke vërtetuar se vendi i parë në Grupin H të eliminatoreve nuk është rastësor. Malazezët kanë shfaqur një lojë më të mirë se anglezët për pjesën më të madhe të ndeshjes dhe rezultati ka qenë mëse i merituar në këtë takim mjaft emocionues.
Uejn Runi, i ndëshkuar me karton të kuq herën e fundit kur kishte shkelur barin e stadiumit të Podgoricës, këtë radhë është hakmarrë duke kaluar në avantazh skuadrën e tij që në minutën e 6-të. Por më pas kanë qenë vendasit që kanë kontrolluar lojën dhe kanë krijuar më shumë raste, ku Vuçiniç e Jovetiç kanë qenë shpesh të pakontrollueshëm nga prapavija e “tre luanëve”.
Pas trysnisë së vazhdueshme të vendasve ka ardhur edhe goli i barazimit me anë të Damjanoviç në minutën e 76-të, duke i dhënë Malit të Zi rezultatin që e mban në vendin e parë në grup, të shkëputur me dy pikë nga Anglia. Ballkanasit tani do të duhet të mbrojnë këtë pozicion në ndeshjet e ardhshme, ku një prej tyre është pikërisht në “Uembli” ndaj Anglisë. (LajmeShqip.com)
Grupi H
Ukrainë-Moldavi 2-1
61’ Jarmolenko, 71’ Kasheridi / 80’ Suvorov
Poloni-San Marino 5-0
21’ (p), 50’ (p) Levandovski, 28’ Piszczek, 61’ Teodorczik, 90’ Kosecki
Mali i Zi-Angli 1-1
76’ Damjanoviç / 6’ Runi
Renditja: Mali i Zi 14 pikë, Anglia 12, Polonia 8, Ukraina 8, Moldavia 4, San Marino 0.
Tuesday, 26 March 2013 23:23