Ish-sulmuesi i Anglisë, Geri Lineker, mendon se Anglia nuk ka asnjë shans për të fituar Kupën e Botës, pasi lojtarëve u mungon aftësia teknike për të përballuar skuadrat më të mira në botë. 52 vjeçari është i bindur se këtë fakt kanë filluar ta kuptojnë edhe tifozët e “tre luanëve” që nuk kanë më pritshmëri ndaj skuadrës.
“Në këtë pikë, kualifikimi në Botëror është i pranueshëm dhe të mbërrijmë në çerekfinale do të jetë një arritje, duke kaluar pritshmërinë. Nuk bëjmë pjesë në grupin kryesor të kombëtareve dhe nuk mund të presim që të fitojmë një turne madhor. Lojtarët tanë nuk janë të mirë sa duhet për t’u përballur me skuadra si Brazili, Argjentina dhe Spanja”.
“Nuk arrijmë të mbajmë topin sa duhet pasi lojtarët tonë nuk janë aq të aftë teknikisht sa duhet të jesh për të arritur në fazat e fundit të një aktiviteti të tillë. Me përjashtim të Uejn Runit, lojtarët tonë më të mirë nuk janë në moshën ku mund të japin maksimumin e tyre”.
“Të mbash topin është një kërkesë për çdo kombëtare që ka pretendime dhe paaftësia jonë për ta bërë një gjë të tillë është e vazhdueshme. Kuptohet që nuk mund të bëhet një transformim kaq drastik në 12 muajt e ardhshëm”, ishte vlerësimi negativ i Lineker mbi përfaqësuesen në radhët e të cilës ai ka shënuar 48 gola. (LajmeShqip.com)
Sunday, 31 March 2013 17:39