Ndeshja e luajtur në lartësinë 3650 metra mbi nivelin e detit në La Paz të Bolivisë u ka shkaktuar shumë probleme shëndetësore lojtarëve të Argjentinës të cilët e kanë përjetuar barazimin 1-1 si një fitore të jashtëzakonshme.
Të pamësuar me trysninë e ajrit, kryesuesit e grupit eliminator të Amerikës së Jugut kanë shfaqur vështirësi të mëdha në lojën e tyre dhe kjo u tregua qartë nga problemet që patën lojtarët kryesorë. Sipas informacioneve nga vetë skuadra, Lionel Mesi është përfshirë nga një krizë të vjellash në pushimin e ndeshjes, ndërsa Di Maria, pas një përplasje në pjesën e dytë, kishte nevojë për bombol oksigjeni që të merrte veten.
Situata ishte aq e vështirë sa Mesi humbi edhe një rast të jashtëzakonshëm për t’i dhënë skuadrës së tij fitoren në minutat e fundit. “Hezitova pasi është e tmerrshme të luash në një lartësi të tillë. Pasi bën një lëvizje me shpejtësi, e ke shumë të vështirë të rifitosh frymëmarrjen normale dhe të marrësh veten”, ishin fjalët e vetë Mesit pas përfundimit të ndeshjes.
Në ndeshjet e tjera të grupit, bie në sy fitorja e thellë 4-1 e Ekuadorit ndaj Paraguait, për të marrë vendin e dytë në grup, pikërisht pas krahëve të Argjentinës, duke kaluar Kolumbinë që këtë radhë u ndal në fushën e Venezuelës. (LajmeShqip.com)
Kualifikueset e Botërorit 2014, Amerika e Jugut
Rezultatet
Bolivi-Argjentinë 1-1
25’ Moreno / 44’ Banega
Ekuador-Paraguai 4-1
38’ Kaceido, 50’, 75’ Montero, 54’ Benitez / 15’ Kabajero
Kili-Uruguai 2-0
10’ Paredes, 78’ Vargas
Venezuela-Kolumbi 1-0
13’ Rondon
Renditja: Argjentina 24 pikë, Ekuador 20, Kolumbia 19, Kili 15, Venezuela 15, Uruguai 13, Peru 11, Bolivia 9, Paraguai 8.
Wednesday, 27 March 2013 10:19