Supersfida klasike e kampionatit shqiptar mes Vllaznisë dhe Tiranës u ka buzëqeshur kryeqytetasve që kanë marrë një fitore shumë të vlefshme në javën e 10-të të Kategorisë Superiore duke dalë përkohësisht nga kriza dhe duke arritur vendin e tretë.
Dy skuadrat përballeshin me njëra-tjetrën pas një eliminimi të turpshëm në Kupë dhe kjo ndeshje shihej si ajo që do të përcaktonte shumë gjëra për të ardhmen e të dy klubeve.
Vllaznia ka kërkuar më me ngulm golin, duke dominuar dhe mbyllur kryeqytetasit të gjysmëfushën e vet. Por si zakonisht, shkodranët kanë shpërdoruar shumë para portës kundërshtare dhe këtë ndeshje e kanë humbur edhe falë formës jo të mirë të sulmuesve të tyre.
Tirana ka pritur në mbrojtje dhe ka sulmuar vetëm nëpërmjet kundërsulmeve. Por gjithsesi, ka shfrytëzuar maksimalisht rastin që i është shfaqur kur Beqiri ka shkaktuar penallti, ndërsa Duro ka transformuar saktësisht në portën e Vujadinoviç, i cili për pjesën më të madhe të ndeshjes kishte qëndruar si spektator.
Me këtë fitore, Tirana ngjitet përkohësisht në vendin e tretë në renditje, ndërsa mund të marrë frymë më qetë pasi suksesi i ka pajtuar edhe me tifozët. Ndërsa Vllaznia rrezikon të dalë krejtësisht jashtë objektivave të vet, pasi i është larguar kreut dhe nuk duket aspak një skuadër e cila mund të pretendojë për një vend mes më të mirëve në këtë sezon. Për më tepër, humbja me Tiranën mund të sjellë ndryshime edhe në drejtim, pasi trajneri Shpëtim Duro tashmë rrezikon seriozisht shkarkimin nga detyra.
Ndërkohë, vendin e dytë e ka marrë Teuta, e cila ka arritur të fitojë në fushën e Apolonisë me rezultatin 2-1 falë rizgjimit të Daniel Xhafajt, sulmuesit vlonjat që u kthye pas shumë vitesh me durrsakët dhe po ndihmon këtë skuadër që të qëndrojë përsëri në majat e klasifikimit të Superiores. (LajmeShqip.com)
Kategoria Superiore
Java 10 / Rezultatet
Luftëtari-Kastrioti 2-0
2’ Liçaj, 35’ Çaço
Apolonia-Teuta 1-2
29’ Ndoni / 61’, 89’ Xhafaj
Bylis-Shkumbini 2-0
26’ Izuçukuka, 60’ Idrizi
Vllaznia-Tirana 0-1
80’ (p) Duro
Saturday, 10 November 2012 19:38