Skuadra e Kukësit vazhdon mrekullitë e saj në këtë sezon, pasi vetëm 4 javë para fundit të Kategorisë Superiore, kanë arritur të ngjiten në vendin e dytë në klasifikim dhe bëhen kandidatë seriozë për luajtjen në Europa League në sezonin e ardhshëm.
Ekipi i drejtuar nga Armando Cungu ka mundur me rezultatin 2-1 Tiranën, duke treguar edhe një herë se nuk është rastësisht në këtë pozicion në klasifikimin e kampionatit shqiptar. Në një ndeshje mjaft emocionuese, skuadra kuksiane ka arritur të shfrytëzojë hapësirat e lëna nga mbrojtja e kryeqytetasve, ndonëse për të marrë tri pikët i është dashur goli i Popoviç në minutën e 89-të, ndërsa Çota kishte shënuar barazimin për Tiranën vetëm 2 minuta më parë.
Hapi lart në renditje i Kukësit ka ardhur pasi Flamurtari ka gabuar në ndeshjen e vet në fushën e Kastriotit, duke u mundur me rezultatin e pastër 3-0. Vlonjatët janë shfaqur shumë larg formës së tyre të zakonshme, duke humbur kështu një mundësi të mirë për të ruajtur pozicionet në renditje që të çojnë në Kupat e Evropës.
Ndërkohë, Skënderbeu ka fituar 2-0 përballë Besës dhe bëhet gati për të festuar një tjetër titull kampion, ndoshta matematikisht që nesër, nëse Teuta mundët përballë Vllaznisë në takimin që mbyll javën e 22-të të Kategorisë Superiore. (LajmeShqip.com)
Kategoria Superiore
Java 22 / Rezultatet
Skënderbeu-Besa 2-0
35’ Souza, 68’ Fagu
Kukësi-Tirana 2-1
79’ Brahja, 89’ Popoviç / 87’ Çota
Kastrioti-Flamurtari 3-0
38’ Hysa, 50’ Karapici, 64’ Shaba
Apolonia-Shkumbini 1-1
45’ Dushku / 83’ Sekseni
Saturday, 13 April 2013 20:20