Nëse lufta për titullin kampion në Kategorinë Superiore duket se ka përfunduar, me Skënderbeun që thjesht “shtyn” javët deri në dorëzimin e trofeut të tretë radhazi, shumë e hapur duket beteja për vendin e dytë dhe të tretë në renditje që sigurojnë pejsëmarrjen në Europa League.
Pas ndeshjeve të sotme, vendin e tretë në renditje e ndajnë Flamurtari dhe Kukësi në të njëjtën kuotë pikësh, ndërsa janë vetëm 2 pikë nga Teuta e vendit të dytë. Pikërisht durrsakët nuk kanë arritur të bëjnë mrekullinë ndaj Skënderbeut në takimin e mbyllur 0-0, duke mos arritur t’i japin pak më shuam emocion kampionatit në javët e fundit dhe komplikuar pozicionin e tyre, pasi i kanë dhënë mundësinë ndjekësve të afrohen.
Nuk ka përfituar Flamurtari, kandidat për vendin e dytë në renditje, pasi edhe vlonjatët janë ndalur në shtëpi me rezultatin 0-0 përballë Besës që lufton për mbijetesë. Por hapa para ka bërë Kukësi, ekipi që në këtë sezon ka çuditur të gjithë, ndonëse debutues në Kategorinë Superiore.
Kuksianët kanë fituar me rezultatin 5-1 përballë Shkumbinit, një goleadë që ka mbajtur kryesisht firmën e Popoviç, autor i tre golave në pjesën e parë të ndeshjes, duke dënuar peqinasit që duket se janë dorëzuar dhe sezonin e ardhshëm do të luajë një kategori më poshtë.
Për kuksianët do të jetë vendimtare kjo javë, pasi luajnë ndeshjen e parë të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit, ndërsa të shtunën vizitojnë pikërisht Teutën, rivalen direkte për renditjen në vendin e dytë në klasifikim. (LajmeShqip.com)
Kategoria Superiore
Java 20 / Rezultatet
Luftëtari-Bylis 1-1
30’ Fonseka / 44’ Gërxho
Apolonia-Laçi 1-1
14’ Buljan / 40’ Ribaj
Kukësi-Shkumbini 5-1
6’, 9’, 43’ Popoviç, 63’ Manuka, 85’ Malindi / 86’ Gjata
Skënderbeu-Teuta 0-0
Flamurtari-Besa 0-0
Klasifikimi: Skënderbeu 49 pikë, Teuta 38, Flamurtari 36, Kukësi 36, Vllaznia 29, Tirana 29, Laçi 28, Kastrioti 28, Bylis 26, Besa 24, Luftëtari 18, Shkumbini 16, Tomori 9, Apolonia 9.
Saturday, 30 March 2013 19:37