Dy ditët e fundit kanë sjellë në skenë përsëri fytyrën e vërtetë të shëmtuar të futbollit shqiptar, atë të dhunës në stadiume. Pas skandalit të një ditë më parë kur kryetari i bashkisë së Gramshit ka hyrë me makinën e tij në ambientet e brendshme stadiumit, në tentativën për t’i dhënë një “mësim” gjyqtarëve, skandali i radhës vjen nga Kavaja, ku kryebashkiaku Elvis Roshi ka goditur trajnerin e Tiranës, Nevil Dede në pushimin e ndeshjes.
Është mësuar se në pushimin e ndeshjes, kur rezultati i takimit ishte 1-0 për ekipin vendas, Roshi ka hyrë në dhomat e zhveshjeve të Tiranës dhe ka kërcënuar me jetë futbollistët bardheblu, duke i kërkuar qartësisht të mos bënin tentativa “të kota” për të fituar ndeshjen pasi rrezikonin jetën e tyre. Këto kërcënime ai i ka shoqëruar edhe me veprime, pasi ka goditur me grusht trajnerin e bardhebluve, Nevil Dede.
Lojtarët e Tiranës kanë refuzuar fillimisht të dalin në fushën e lojës për pjesën e dytë të takimit, por ka qenë trajneri Dede ai që ka insistuar që të vazhdohet takimi për të evituar incidente edhe më të pakëndshme. Ndërkohë, ai ka bërë kallëzim penal ndaj kryebashkiakut të Kavajës, i cili është zhdukur nga stadiumi dhe është shpallur në kërkim. Për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes deri në fundin e saj, është dashur mbërritja me shpejtësi e forcave RENEA që kanë siguruar qetësinë në stadium dhe kanë evituar probleme të tjera.
Në një situatë të tillë, thuajse çdo rezultat sportiv i kësaj jave ka kaluar në plan të dytë, duke parë nevojën urgjente të reformës së legjislacionit përkatës, që u jep të drejtë personave me pushtet të bëjnë ligjin dhe rolin e të fortit në stadiumet shqiptare. Ky nuk është rasti i parë i këtij lloji, pasi pason ato të panumërta ku deputetë të parlamentit shqiptar janë bërë nxitës të dhunës ndaj gjyqtarëve e kundërshtarëve, por duket se kohët e fundit kjo dhunë ka përshkallëzuar në mënyrë të tillë, sa po bën të pamundur zhvillimin e sportit të futbollit në Shqipëri, duke shëmtuar lojën dhe duke larguar edhe ata pak tifozë që kanë mbetur në stadiume. (LajmeShqip.com)
Kategoria Superiore
Java 18 / Rezultatet
Kukësi-Laçi 2-1
70’ Popoviç, 80’ Brahja / 75’ (ag) Hoxha
Besa-Tirana 2-1
30’ (p) Çikalleshi, 90’+2’ Batha / 90’ Lika
Vllaznia-Bylis 1-0
23’ (p) Dragoi
Flamurtari-Teuta 1-1
38’ Muzaka / 82’ Muriqi
Klasifikimi: Skënderbeu 45 pikë, Teuta 34, Flamurtari 32, Kukësi 30, Vllaznia 29, Tirana 29, Kastrioti 28, Laçi 24, Bylis 22, Besa 20, Luftëtari 17, Shkumbini 16, Tomori 9, Apolonia 8.
Sunday, 10 March 2013 19:18