Humbja 1-0 në fushën e Bylisit në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë ka mjaftuar që drejtuesit e Flamurtarit të binden përfundimisht për të larguar trajnerin spanjoll Hulian Rubio nga drejtimi i skuadrës.
Në fakt shkarkimi i tij përflitej prej kohësh, por drejtuesit e skuadrës vlonjate vazhdonin t’i jepnin një mundësi tjetër trajnerit që iu afrua ekipit në fillimin sezonit, pasi kishte kaluar një vit në drejtimin e Tiranës.
Menjëherë pas ndeshjes së Kupës u pa qartë që raporti mes palëve ishte krisur përfundimisht, pasi mes trajnerit spanjoll dhe shefit të klubit, Geri Çipi, shpërtheu një debat që pa hyrë në dhomat e zhveshjeve. Debati ka vazhduar më pas edhe në prani të lojtarëve, duke paraprirë vendimin e sotëm të shkarkimit të tij.
Tashmë duket se Flamurtari do t’i kthehet përsëri një ish-trajneri, Gugash Maganit i cili dy sezone më parë i shpalli nënkampionë të Shqipërisë dhe bëri që ekipi vlonjat të kthehej në elitën e futbollit shqiptar. Bisedimet mes palëve kanë filluar prej kohësh, pasi drejtuesit e Flamurtarit e shihnin që eksperiencës së Rubios në drejtimin e kësaj skuadre po i vinte fundi. (LajmeShqip.com)
Monday, 10 December 2012 19:17