Kombëtarja shqiptare e futbollit ka bërë një hov mjaft të rëndësishëm në renditjen botërore që publikohet nga FIFA, duke qenë tashmë e 67-ta në botë. Ky është një lajm mjaft i mirë për kuqezinjtë e drejtuar nga De Biasi, të cilët më në fund kanë lënë pas rënien e disa muajve më parë dhe tashmë gjenden në pozita mëse të mira në klasifikim me një tendencë rritjeje.
Vetëm në muajin e fundit, përfaqësuesja kuqezi ka pësuar një ngjitje prej 17 vendesh në klasifikimin e FIFA-s, duke përfituar nga rënia e shumë skuadrave të rëndësishme si Skocia, Austria, Senegali, Estonia apo Armenia. Falë 496 pikëve të marrë në muajin e fundit, sidomos falë suksesit 1-0 ndaj Sllovenisë, kuqezinjtë kanë bërë hapa para edhe në renditjen evropiane, ku tashmë janë të 31-tët. Duhet kujtuar se renditja evropianë është ajo që më pas përcakton vazon të hedhjen e shortit të Evropianit 2016, duke i dhënë kombëtares shqiptare mundësinë e kundërshtarëve më të përballueshëm në grup.
Ndërkohë, bie në sy që nga skuadrat e grupit ku bën pjesë përfaqësuesja kuqezi, Zvicra ka rënë me një pozicion, duke qenë tashmë e 16-ta në botë, ndërsa Norvegjia ka mbetur në vendnumëro në pozicionin e 26-të në botë. Sllovenia ka rënë me 14 vende, duke qenë tashmë e 49-ta, Islanda është ngjitur me një pozicion, duke mbajtur vendin e 96-të, ndërsa Qipro ka pësuar një nga rëniet më të ndjeshme të muajit, duke qenë e 127-ta në botë falë humbjes së 20 pozicioneve njëkohësisht në renditjen botërore.
Klasifikimi botëror kryesohet nga Spanja, që ndiqet nga Gjermania dhe Argjentina, e cila është ngjitur pas shumë kohësh përsëri në vendin e tretë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 07 November 2012 16:33