Real Madrid ka bërë detyrën duke fituar 2-0 ndaj Rajo Vajekano, edhe pse ka qenë për pjesën më të madhe të ndeshjes me 10 lojtarë pas kartonit të kuq rekord të Serxho Ramos. Mbrojtësi i madrilenëve u ndëshkua dy herë radhazi me karton të verdhë për dy faulle të ndryshëm, me një diferencë prej 44 sekondash nga njëri-tjetri.
Murinjo çuditi të gjithë duke aktivizuar titullar Kaka dhe të riun Morata, i cili kishte zënë vendin e Benzema në repartin e sulmit. Lojtari i akademisë u bë menjëherë protagonist, duke shënuar golin e avantazhit në minutën e 3-të të ndeshjes, ndërsa pa kaluar 10 minuta të tjera, ishte Serxho Ramos që dyfishoi rezultatin pas një goditje këndi.
Por pikërisht mbrojtësi bëhet protagonist negativ i ndeshjes për madrilenët kur mes minutave 17 dhe 18 merr dy kartona të verdhë për faulle të ndryshëm dhe lë skuadrën e tij me 10 lojtarë.
Megjithatë, Rajo nuk është në gjendje të vërë në vështirësi të mëdha Realin, pavarësisht epërsisë numerike në fushë dhe si rrjedhojë, ndeshja mbyllet me fitoren 2-0 të skuadrës së Murinjos, që i gëzohet suksesit në ndeshjen e tij të 100-të në kampionat si trajner i ekipit madrilen.
Në ndeshjen Real Vajadolid-Atletiko Madrid, të fituar nga këta të fundit me rezultatin 3-0, në stolin e rezervave për ekipin vendas ka qenë i gatshëm edhe mesfushori kosovar Valdet Rama, i cili pret të bëjë së shpejti debutimin me ekipin të cilit iu bashkua në merkaton e janarit. (LajmeShqip.com)
Primera Division
Java 24 / Rezultatet
Real Sociedad-Levante 1-1
18’ (p) Vela / 29’ (p) Mishel
Valencia-Majorka 2-0
60’ Rikardo Kosta, 81’ Soldado
Real Vajadolid-Atletiko Madrid 0-3
10’ Falkao, 53’ Diego Kosta, 90’ Rodriguez
Espanjol-Real Betis 1-0
7’ Serxho Garsia
Real Madrid-Rajo Vajekano 2-0
3’ Morata, 12’ Ramos
Sunday, 17 February 2013 23:19