Real Madrid nuk i ka dhënë kënaqësinë Barcelonës që të fitojë titullin kampion “nga poltroni”, pasi ka fituar ndeshjen e vet kundër Malagas, duke shtyrë festën e titullit të katalanasve të paktën deri në fundjavë. Skuadra e Murinjos ka fituar me një rezultat të thellë 6-2 këtë sfidë, duke përfituar nga superioriteti numerik pas dy kartonëve të kuq për ekipin mik.
Madrilenët kaluan në avantazh që në minutën e 2-të me Albiol, por nuk e prisnin reagimin e Malagas që barazoi me Santa Kruz. Por në minutën e 21-të, miqtë mbeten me një lojtar më pak në fushë, pasi Serxho Sançez ndëshkohet me karton të kuq sepse shkaktoi një penallti. Nga pika e bardhë gjuan Kristiano Ronaldo, por Kabajero bën mrekullinë duke devijuar me këmbë gjuajtjen e tij.
Megjithatë, lojtari i Realit hakmerret pak minuta më vonë duke kaluar në avantazh skuadrën e tij, ndërsa Ozil çoi shifrat në 3-1. Një gol i jashtëzakonshëm i Antunes dukej sikur do të vinte gjithçka në diskutim, për është Benzema që çon kthen avantazhin e dy golave për skuadrën e tij në pushimin e ndeshjes, duke shënuar golin e katërt pak para vërshëllimës së gjyqtarit.
Në pjesën e dytë, dominimi i Realit është mëse i dukshëm me Modriç që shënon në minutën e 63-të të ndeshjes golin e pestë për vendasit. Malaga nuk ka forcë as të reagojë, pasi sheh një tjetër lojtar të largohet me karton të kuq, Demikelis, edhe pse argjentinasi nuk bëri faull ndaj Kristiano Ronaldos dhe po protestonte me të drejtë ndaj gjyqtarit. Pas rasteve të njëpasnjëshme të madrilenëve, ndeshja mbyllet me golin e Di Maria në minutat shtesë, duke çuar rezultatin në 6-2 për ekipin e Murinjos.
Duhet theksuar se festa e madrilenëve u prish disi nga dëmtimi në minutat e fundit i Ozil, i cili braktisi fushën e lojës dhe mund të jetë në dyshim për finalen e Kupës së Mbretit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 08 May 2013 23:40