Presidenti i Deportivo La Korunja, Augusto Cesar Lendoiro, mendon se manipulimi i ndeshjeve është një fenomen i përhapur gjerësisht në kampionatin spanjoll. Lendoiro, i cili ka marrë drejtimin e klubit që nga viti 1988, deklaroi për “Europa Press”, se shumë nga ndeshjet e javëve të fundit në Spanjë kanë qenë të manipuluara, me rezultatet e paracaktuara.
“Thuajse të gjitha ndeshjet e fundit të këtij sezoni kanë qenë të manipuluara në një mënyrë apo në tjetrën”, ishte deklarata e bujshme e tij.
Ai bëri të qartë se mendonte që rënia e klubit në kategorinë e dytë në fund të sezonit 2010-2011 erdhi vetëm si pasojë e manipulimit të këtyre ndeshjeve ku klube të veçanta paguheshin që të humbnin, për të favorizuar një klub apo penalizuar një tjetër.
“Të gjithë tifozët e futbollit duhet të jenë të qartë, Deportivo nuk ka marrë pjesë asnjëherë në këtë lloj manipulimi. Unë vë kokën time si garant për lojtarët dhe drejtuesit”, u shpreh ai.
Por pak ditë më parë, Hose Barkero, mesfushori i Levantes, akuzoi shokët e tij të skuadrës së kishin lënë ndeshjen pikërisht ndaj Deportivo La Korunjas, e cila rrezikon rënien nga kategoria. Levante, ndonëse është një skuadër e mesit të tabelës në Spanjë, u mund lehtësisht me rezultatin 4-0 në fushën e vet. (LajmeShqip.com)
Thursday, 09 May 2013 17:54