Shanset e Shqipërisë për t’u kualifikuar në Botërorin 2014 kanë marrë një shtysë të madhe nga barazimi i sotëm 0-0 mes Qipros dhe Zvicrës në ndeshjen e grupit E ku bëjnë pjesë edhe kuqezinjtë.
Zviceranët, që deri në këtë moment ishin treguar dominues në grup, nuk kanë arritur të marrin tri pikët në transfertë dhe tani ndalën në kuotën e 11 pikëve pas 5 ndeshjeve, 2 më shumë se Shqipëria dhe Islanda që i ndjekin në renditje.
Kuptohet që skuadra e drejtuar nga Otmar Hitzfeld mbetet pretendente kryesore për të fituar vendin e parë në Grupin E, falë edhe një kalendari më të favorshëm me 3 nga 5 ndeshjet e mbetura në fushën e vet. Por barazimi ndaj Qipros është një sinjal i qartë se helvetët nuk janë më skuadra e pandalshme e fillimit të eliminatoreve, ndoshta edhe për faktin se shumë prej futbollistëve të kësaj kombëtareje nuk po luajnë me skuadrat e tyre.
Kjo situatë në Grupin E duket se lë gjithçka hapur për kualifikimin, që tashmë përfshin edhe vendin e parë në grup dhe jo vetëm atë të dytin që të çon në playoff. (LajmeShqip.com)
Grupi E
Ndeshjet e ardhshme
07/06/13
Shqipëri-Norvegji
Islandë-Slloveni
08/06/13
Zvicër-Qipro
Klasifikimi: Zvicra 11 pikë, Shqipëria 9, Islanda 9, Norvegjia 7, Qipro 4, Sllovenia 3.
Saturday, 23 March 2013 20:01