Argjentina është ndalur në një barazim 1-1 në Peru, në një ndeshje shumë të tensionuar që tregoi se pa lojën e Mesit, argjentinasit humbin shumë nga forca e tyre. Argjentinasit po shkonin drejt humbjes së parë kundër Perusë që nga vitit 1997, por skuadrën e Sabela e ka shpëtuar sulmuesi i Real Madrid, Gonzalo Higuain, me golin e tij në minutat e fundit.
Në fakt, fitorja e vendasve nuk do të ishte e pamerituar, pasi ata bënë më shumë se rivalët e tyre në ndeshjen e luajtur në Lima, duke fituar një penallti që në minutën e parë, por Serxho Romero priti gjuajtjen e Klaudio Pizarro. Ndonëse peruanët gjetën golin në minutën e 22-të dhe pastaj u përqendruan vetëm te shkatërrimi i lojës argjentinase duke bllokuar tërësisht Lionel Mesin, ata nuk mundën të evitonin golin e Higuain që u hoqi nga duart tre pikë të vlefshme.
Në ndeshjet e tjera të kualifikueseve të Botërorit 2014 në zonën e Amerikës së Jugut, bie në sy suksesi 3-1 në transfertë i Kolumbisë ndaj Kilit. Ndonëse kilianët shënuan të parët me Fernandez, Kolumbia arriti të merrte tri pikë dhe të ngjitej në vendin e dytë në grup falë golave të Rodriguez, Falkao dhe Gutierrez. (LajmeShqip.com)
Kualifikueset e Botërorit 2014, zona e Amerikës së Jugut
Rezultatet
Kili-Kolumbi 1-3
Uruguaj-Ekuador 1-1
Paraguaj-Venezuela 2-0
Peru-Argjentinë 1-1
Renditja: Argjentinë 14 pikë, Kolumbi 13, Ekuador 13, Uruguaj 12, Kili 12, Venezuela 11, Peru 7, Bolivi 4, Paraguaj 4.
Wednesday, 12 September 2012 08:37