Horge Lorenco ka filluar kampionatin e ri të MotoGP me një fitore, duke hedhur kandidaturën për një tjetër titull kampion me skuadrën e Jamahas. Por spanjolli duket se këtë vit do të ketë një konkurrencë mjaft të fortë brenda skuadrës së tij, pasi gara e hapjes së sezonit në Çmimin e Madh të Katarit ka shënuar edhe rikthimin në elitën e motoçiklizmit të Valentino Rosit.
Nëse Lorenco është shkëputur që në fillimin e garës dhe ka qëndruar i vetëm deri në fundin e saj, i shkëputur nga të tjerët, piloti italian ka qenë protagonist i një prove emocionuese. I nisur shumë keq, ai ka ngjitur pozicionet një nga një, edhe atëherë kur dukej se ishte shumë larg treshes Pedrosa-Markez-Kraçlou. Rosi i ka kaluar të gjithë me radhë, duke treguar se me Jamahan ai është një pilot krejtësisht ndryshe, që lufton për podium siç ndodhi këtë radhë duke arrijë që të ngjitet në vendin e dytë.
Pas tij, në vendin e tretë është renditur një tjetër surprizë mjaft e këndshme, debutuesi Mark Markez me Honda, i cili ka treguar se për momentin është më i shpejtë se shoku i skuadrës, Dani Pedrosa, ndërsa dueloi deri në metrat e fundit me Rosin. Dy spanjollët janë pretendentët e vetëm për të konkurruar me motorët zyrtarë Jamaha të Lorenco e Rosi, pasi pjesa tjetër e skuadrave vazhdon të jetë ende shumë larg, ndonëse Dukati dha sinjale pozitive me kohë disi më të shpejta se ato të sezonit të kaluar. (LajmeShqip.com)
Sunday, 07 April 2013 22:27