Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, ka mbetur i shtangur pas barazimit 4-4 mes kombëtares së tij dhe Suedisë, në një ndeshje që dukej e mbaruar pas 60 minutave të para kur rezultati ishte 4-0 për vendasit.
“Të jem i sinqertë, kanë kaluar 10 minuta nga fundi i kësaj ndeshje dhe nuk di si ta shpjegoj këtë”, ishte reagimi i parë i Lëv. “60 minutat e para ishin të shkëlqyera, luajtëm shumë, shumë mirë. Pastaj është e pashpjegueshme që lëshuam veten dhe humbëm ritmin. Nuk kishte më organizim, kishim probleme me topat e lartë dhe është e vështirë të thuash me saktësi se çfarë ndodhi aty”.
Sipas tij, vetëkënaqësia mundtë jetë i vetmi shpjegim për këtë barazim që ngjau më shumë si humbje.
“Ndoshta problemi filloi në kokat tona. Ti kryeson një ndeshje 4-0 dhe mendon se gjithçka shkon mirë për ty. Por ne bëmë aq shumë gabime në 30 minutat e fundit, gabime të cilat duhet ti analizojmë. Për mua është e vështirë të thuhet se pse bëmë kaq shumë gabime”, tha trajneri i Gjermanisë, e cila shkatërroi 4 ditë më parë në transfertë Irlandën me rezultatin 6-1.
Ndërkohë, trajneri i Suedisë, Erik Hamren, e ka cilësuar “historike” natën e mbrëmshme.
“Ishte një ndjenjë e çuditshme në dhomat e zhveshjeve pas kësaj ndeshje, pasi nuk ndodh çdo ditë në arenën ndërkombëtare që të barazosh 4-4 pasi ke qenë në disavantazh 0-4. Të vish në Gjermani dhe të marrësh pikë ndaj një prej skuadrave më të forta në botë është e pabesueshme. Kjo është një natë historike për ne”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 17 October 2012 10:50