Barazimi 2-2 i Italisë në fushën e Bullgarisë në fillimin e kualifikueseve të Botërorit 2014, ka bërë që të shpërthejnë kritika të ashpra ndaj trajnerit Çezare Prandeli. Shkak janë bërë vendimet e tij për të kryer shpejt zëvendesimet, duke lënë skuadrën me 10 lojtarë pas dëmtimit të De Rosit, ashtu siç ndodhi në finalen e Euro 2012 kundër Spanjës.
Në finalen e Euro 2012, Prandeli e detyrua të aktivizonte Balzaretin në vend të Kielinit të dëmtuar, ndërsa në fillimin e pjesës së dytë largoi Kasano e Montolivo për të aktivizuar Diamantin e Motën. Dëmtimi i menjëhershëm i këtij të fundit bëri që shanset e Italisë për një përmbysje ndaj Spanjës të shuheshin përfundimisht, pasi të kaltrit mbetën me 10 lojtarë për një kohë të gjatë.
Ndërsa me Bullgarinë, trajneri italian insistoi duke kryer të tre zëvendësime brenda 9 minutash, kur kishin mbetur edhe 15 minuta deri në fundin e ndeshjes me rezultatin që ishte 2-2 në ato momente. Diamanti, Peluso e Destro zunë vendin e Xhakerini, Ogbona e Xhovinko, por fati desh që në ato momente të dëmtohej menjëherë De Rosi. Kështu, Italia mbeti përsëri me 10 lojytarë, ndërsa iu desh të mbronte me dhëmbë barazimin 2-2 për të dalë të paktën me 1 pikë nga kjo transfertë e vështirë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 08 September 2012 09:01