Samir Nasri është një nga mungesat e njohura në kombëtaren e Francës për takimin e radhës në kualifikueset e Botërorit 2014, ndërsa në listën e Deshamp mungojnë edhe dy futbollistë të tjerë po aq të njohur në arenën ndërkombëtare.
Lojtari i Mançester Sitit nuk do të luajë në miqësoren kundër Japonisë me 12 tetor dhe as në ndeshjen shumë të rëndësishme të kualifikuesve kundër rivalëve të Spanjës me 16 tetor.
Mesfushori i Rëne, Jan M’Vila ka mbetur jashtë skuadrës për shkak të një rënie të formës së tij dhe aktualisht stërvitet vetëm me skuadrën U-21, ndërsa ajo që çudit më shumë është mungesa e mesfushorit ofensiv të Njukasëll, Hatem Ben Arfa, i cili ka filluar në mënyrë të shkëlqyer sezonin e ri.
Në listë është përfshirë Hugo Loris, portieri i Totenhem, i cili nuk ka luajtur asnjë ndeshje me skuadrën angleze por pritet që të vazhdojë të jetë titullar me Francën.
Skuadra më e përfaqësuar në listën e lojtarëve të Deshamp është Paris Sent Zhërmen, nga radhët e të cilës janë grumbulluar Kristof Zhalet, Mamadou Sakho, Bleis Matuidi dhe Zheremi Menez. (LajmeShqip.com)
Lista e kombëtares franceze të futbollit:
Portierë: Hugo Loris, Stiv Mandanda, Mikael Landro
Mbrojtës: Gael Klishi, Matië Debushi, Patris Evra, Kristof Zhalet, Loren Koshçielni, Adil Rami, Mamadou Sakho, Mapo Janga-Mbiua.
Mesfushorë: Johan Kabaje, Etien Kapue, Lasana Diarra, Maksim Gonalons, Bleis Matuidi, Musa Sisoko, Matië Valbuena.
Sulmues: Karim Benzema, Olivier Zhirud, Bafetimbi Gomis, Zheremi Menez, Frank Riberi.
Friday, 05 October 2012 09:14