Ndonëse ndeshjet miqësore zhvillohen për të bërë eksperimente dhe për të parë gjendjen e lojtarëve të ndryshëm, Xhani De Biasi synon një rezultat të bujshëm në miqësoren e 14 nëntorit kundër Kamerunit. Trajneri i përfaqësueses shqiptare ka pohuar në një intervistë të dhënë për Afrikitalia.it se në takimin përballë skuadrës ku luan Samuel Eto’o ai do të hedhë në fushën e lojës futbollistët më të mirë që ka në dispozicion.
“Kjo ndeshje është e rëndësishme për grupin dhe për stafin që të shohë gjendjen e lojtarëve. Do të ndeshemi me një skuadër e cila ka një nivel teknik më të lartë se ne, që gjendet shumë më lart se ne në renditjen e FIFA-s. Kameruni është një test i mirë për ne pasi pak muaj më vonë do të luajmë një ndeshje të rëndësishme kundër Norvegjisë. Ndaj Kamerunit do të jetë një ndeshje impenjative dhe ne duhet të japim një paraqitje sa më të mirë. Kam patur fatin të takoj Eto’o në Spanjë kur drejtoja Levanten, ai është një lojtar i nivelit ndërkombëtar. Por Kameruni ka futbollistë të tjerë si Shedju, Mbia, Kameni, Song, Nkulu, etj. Janë lojtarë që çdo trajner do të dëshironte të kishte në ekip dhe që mund të vënë në vështirësi çdo kundërshtar. Ndaj tyre ne duam të bëjmë progres, që është pikërisht ajo që kërkojmë”, tha ai, duke pranuar superioritetin e kundërshtarit.
“Shqipëria ka lojtarë që kanë patur mundësinë të luajnë për vende që i kanë ofruar privilegje personale, por në fund ata kanë bërë zgjedhjen të luajnë për tokën e tyre. Të thirresh në ekipin kombëtar të vendit tënd është një nder i madh. Do të mbledh lojtarët më të mirë për këtë ndeshje kundër Kamerunit, me përjashtim të ndonjë dëmtimi. E di që tani që do të na mungojë Agolli që është dëmtuar dhe i është nënshtruar operacionit me sukses”, tregoi situatën e skuadrës shqiptare trajneri që pritet të bëjë publike listën e futbollistëve të grumbulluar vetëm gjatë javës së ardhshme.
Në fund, trajneri i Shqipërisë ka bërë edhe një bilanc të Grupit E ku merr pjesë përfaqësuesja shqiptare si dhe shanset e saj për një kualifikim historik në Botërorin 2014.
“Grupi E është shumë i vështirë. Është Zvicra që kryeson me 10 pikë, dhe pastaj jemi ne që kemi një pikë më pak se Norvegjia, që ka 7 dhe që luan pikërisht kundër nesh në ndeshjen e radhës. Do të bëjmë gjithçka që kemi mundësi për të mos rënë nga kjo renditje. Nuk jemi favoritë, por është pikërisht ky status që e bën më tërheqëse sfidën tonë. Do të luajmë shanset që na jepen deri në fund”. (LajmeShqip.com)
Saturday, 03 November 2012 14:34