Federata Braziliane e Futbollit ka marrë sot vendimin e papritur për të larguar nga detyra e trajnerit të kombëtares teknikun Mano Menzes, të cilin e kishte mbrojtur fuqimisht gjatë kohëve të fundit.
Sipas asaj që është mësuar nga mediat braziliane, vendimi është marrë pas një mbledhje urgjente gjatë ditës së premte, ku është vendosur që të largohet trajneri për shkak të rezultateve aspak bindëse të kësaj kombëtareje në muajt e fundit.
Në këtë mbledhje ishin të pranishëm drejtuesit më të lartë të Federatës Braziliane, të cilët pritet të lëshojnë një komunikatë për shtyp gjatë ditës së nesërme rreth këtij vendimi, ndonëse mendohet që baza e shkarkimit të Menezes janë luhatjet në lojën e kombëtares që pritej të ishte pretendente për të fituar Botërorin që organizohet në Brazil pas vetëm 19 muajsh.
Shtypi brazilian ka filluar menjëherë të diskutojë emrat e mundshëm që pritet të zëvendësojnë Menezes, duke filluar nga Luiz Felipe Skolari, që shpalli Brazilin Kampion Bote në vitin 2002. Kandidaturë tjetër është ajo e trajnerit aktual të Santos, Murici Ramajho, si dhe ajo e trajnerit të Korinthians, Adenor Leonardo Baki, i njohur si “Tite”. Një alternativë mbetet edhe emri i Josep Guardiolës, pasi pak ditë më parë, mediat spanjolle zbuluan se drejtuesit e kombëtare braziliane ishin interesuar për spanjollin duke kontaktuar me menaxherin e tij.
Sipas mediave braziliane, emri i trajnerit të ri të kombëtares së Brazilit do të bëhet publik vetëm në janar. (LajmeShqip.com)
Friday, 23 November 2012 21:03