Menaxheri i kombëtares gjermane të futbollit, Oliver Bierhof, mendon se kjo kombëtare ka forcën e duhur për të fituar Botërorin 2014. Në një intervistë të dhënë për revistën “Focus”, Birhof u shpreh i lumtur për forcën ofensive të kombëtares, si dhe konfirmoi se Joakim Lëv mund të fillonte të eksperimentonte një tjetër sistem loje para fillimit të këtij aktiviteti të rëndësishëm.
“Sigurisht që ne duam dhe mund ta fitojmë titullin kampion. Këtë e them pasi skuadra jonë ka shumë të rinj të talentuar me potencial të jashtëzakonshëm dhe ne kemi mësuar nga gabimet e Evropianit 2012”, deklaroi ai.
Gjermania është kthyer në rivalen kryesore të Spanjës në vitet e fundit, pasi ka arritur të bëjë edhe ndryshime radikale në sistemin zinxhir. Sukseset e klubeve gjermane në arenën ndërkombëtare, sidomos kalimi i Borusia Dortmund, Bajern Mynih dhe Shalke mes 16 më të mirave në Ligën e Kampioneve falë vendeve të para në grup, do të thotë se është rritur trysnia ndaj ekipit kombëtar për fitimin e një trofeu.
“Falë paraqitjes së shkëlqyer të klubeve tona në Ligën e Kampioneve dhe kualifikimit të 4 skuadrave në turin tjetër të Europa League, kërkesat ndaj ekipit kombëtar janë rritur”, pranoi Birhof.
Prania në skuadër e mesfushorëve të talentuar si Mario Gëtze, Marko Reus, Mesut Ozil, Toni Kros, Tomas Myler dhe Julian Draksler, mund të detyrojë Joakim Lëv të ndryshojë sistemin e tij, në mënyrë që të përfitojë sa më shumë nga ky potencial i jashtëzakonshëm.
“Ndoshta ne mund të ndërtojmë një sistem të ri loje, që mund të zëvendësojë me sukses modelet që aplikojnë tani Spanja dhe Barcelona”, tha Birhof duke iu referuar lojës të bazuar mbi futbollistët që kanë krijimtari dhe jo vetëm mbi forcën fizike që ka qenë karakteristike e futbollit gjerman. (LajmeShqip.com)
Sunday, 23 December 2012 09:25