Vetëm një katastrofë mund t’i heqë titullin kampion nga duart Barcelonës, ndonëse nuk janë luajtur as gjysma e ndeshjeve të kampionatit spanjoll. Katalanasit kanë likuiduar edhe ndjekësin e tyre më të afërt, Atletiko Madrid, duke e mundur me rezultatin 4-1, për t’u shkëputur 9 pikë nga ekipi i Simeones dhe plot 13 nga Reali që barazoi në shtëpi me Espanjol.
Në supersfidën e luajtur në “Kamp Nou”, katalanasit u gjendën në vështirësi në pjesën e parë, pasi Falkao tentoi disa herë portën, duke gjetur edhe shtyllën, derisa në minutën e 31-të mbërriti të dërgonte topin në rrjetë. Por gëzimi i miqve dhe shpresa e tyre për një mrekulli zgjat shumë pak, pasi Adriano gjen barazimin pas 5 minutash me një gjuajtje të pakapshme për portierin Kurtua, e para e katalanasve për këtë ndeshje.
Që nga ai moment, Barcelona merr kontrollin e lojës dhe falë insistimit të vazhdueshëm pranë zonës së Atletikos, lind edhe goditja nga këndi që sjell golin e dytë për vendasit, të shënuar nga Buskets në minutën e fundit të kësaj pjese.
Në pjesën e dytë, katalanasit administrojnë avantazhin dhe godasin me të zakonshmin Lionel Mesi, që vulos rezultatin përfundimtar me një tjetër dygolësh për të çuar në 90 bilancin e tij për vitin 2012, ndërsa ka arritur që tani të shënojë 25 gola në kampionat për sezonin 2012-2013.
Kjo Barcelonë duket se do ta ketë shumë të vështirë të humbasë kampionatin në këtë vit, fakt të cilin e ka pranuar publikisht edhe Zhoze Murinjo pas zhgënjimit të radhës së skuadrës së tij, barazimit 2-2 në “Santiago Bernabeu” përballë Espanjol, ekipit që mbante vendin e fundit në renditje.
Miqtë kanë kaluar të parët në avantazh me anë të Serxho Garsia, por një gol i Kristiano Ronaldo në fundin e pjesës së parë dhe goli i shpejtë i Koentrao në fillimin e të dytës krijuan përshtypjen se kjo do të ishte një fitore e thjeshtë për madrilenët. Por Espanjol jo vetëm që nuk u dorëzua, por kërkoi me ngulm barazimin, të cilin e arriti në minutën e 88-të me anë të Albin. Ky barazim çon në 15 numrin e pikëve të humbura nga madrilenët në 16 ndeshjet e luajtura në këtë kampionat, një pikë më shumë se 14 pikët e humbura në të gjithë sezonin e kaluar ku u shpallën kampionë me shifrën rekord të 100 pikëve. Krizën e ka kuptuar mjaft mirë tifozeria e skuadrës, e cila ka përshëndetur me vërshëllima ekipin në përfundimin e ndeshjes. (LajmeShqip.com)
Primera Division
Java 16 / Rezultatet
Real Saragoza-Levante 0-1
19’ Ruben Garsia
Valencia-Rajo Vajekano 0-1
83’ (p) Dominguez
Real Madrid-Espanjol 2-2
45’ Kristiano Ronaldo, 48’ Koentrao / 31’ Serxho Garsia, 88’ Albin
Barcelona-Atletiko Madrid 4-1
36’ Adriano, 45’ Buskets, 57’, 90’ Mesi / 31’ Falkao
Sunday, 16 December 2012 23:12