Tito Vilanova ka rritur të shkruajë emrin e tij në librin e rekordeve të Barcelonës, duke regjistruar fillimin më të mirë të kampionatit pas 10 ndeshjesh në historinë e klubit katalanas. Falë suksesit 3-1 ndaj Selta Vigos, me 28 pikë nga 30 të mundshme, ai ka arritur të kalojë emra të njohur që kanë drejtuar këtë klub para tij si Pep Guardiola, Frenk Rajkard, Luis Van Gal apo Bobi Robson.
Ndeshja ndaj Selta Vigos ka qenë mjaft argëtuese për skuadrën katalanase që ka kaluar në avantazh shumë shpejt me Adrianon, por rezultati është barazuar nga Bermejo pas pak minutash. Megjithatë, miqtë nuk kanë patur kohë të riorganizohen në mbrojtje pasi David Vija ka rivendosur përsëri avantazhin për skuadrën vendase, falë golit të tij të 5-të në kampionat në këtë sezon. Ndeshja është mbyllur në pjesën e dytë nga goli i Zhordi Alba, por në fakt ai duhej anuluar pasi u shënua në pozicion të dukshëm jashtë loje.
Një fitore të lehtë ka arritur edhe Real Madrid, që ka mposhtur 4-0 skuadrën e Real Saragozës, në një ndeshje pa shumë histori. Higuain dhe Di Maria kanë shënuar brenda dy minutash në pjesën e parë të ndeshjes për të hipotekuar këtë fitore që i ngjit madrilenët në vendin e tretë, ndërsa Esien dhe Modriç kanë realizuar në minutat 89 dhe 91 për të vulosur rezultatin përfundimtar të kësaj ndeshje. (LajmeShqip.com)
Primera Division
Java 10 / Rezultatet
Malaga-Rajo Vajekano 1-2
49’ Demikelis / 11’, 61’ Piti
Barcelona-Selta Vigo 3-1
21’ Adriano, 26’ Vija, 61’ Alba/ 24’ Bermejo
Real Madrid-Real Saragoza 4-0
23’ Higuain, 25’ Di Maria, 89’ Esien, 90’+1’ Modriç
Saturday, 03 November 2012 22:27