Barcelona dhe Real Madrid kanë fituar ndeshjet respektive të javës së 18-të të kampionatit spanjoll të futbollit, por mënyra se si kanë siguruar tri pikët ka qenë krejtësisht e ndryshme. Katalanasit kanë triumfuar shumë lehtë në derbin me Espanjol, të mbyllur me rezultatin 4-0 në favor të tyre, ndërsa madrilenët kanë vuajtur shumë për të marrë një sukses 4-3 ndaj Real Sociedad në një ndeshje ku ka ndodhur gjithçka.
Fillimisht në fushë ka zbritur Real Madrid, në radhët e të cilit Murinjo kishte vendosur të linte përsëri në stol Kasijas, duke aktivizuar Adan si titullar. Por ndeshja e këtij të fundit zgjat vetëm 6 minuta, aq sa për të shkaktuar një penallti dhe për t’u larguar me karton të kuq, për të kthyer përsëri Kasijas, i brohoritur gjatë nga publiku në “Santiago Bernabeu”, mes shtyllave të portës madrilene.
Ksabi Prieto shënon nga pika e bardhë për të barazuar rezultatin në 1-1, pasi më parë kishte qenë Benzema që kishte kaluar në avantazh Realin që në minutën e dytë. Më pas është Khedira që kalon përsëri Realin në avantazh, por Ksabi Prieto bën që pjesa e parë të mbyllet në barazim me golin e tij në minutat e fundit.
Për të shpëtuar Zhoze Murinjon nga një situatë e sikletshme mendon Kristiano Ronaldo me dy golat e tij, në një mbrëmje ku ai u shfaq përsëri në formën më të mirë, ndërsa goli i tretë i Ksabi Prieto nuk shqetësoi shumë madrilenët që kontrolluan rezultatin deri në fundin e ndeshjes.
Ndërkohë, Barcelona ka bërë një “shëtitje” të thjeshtë përballë Espanjol në derbin katalanas, duke dominuar në mënyrë të dukshme këtë ndeshje. Kryesuesit e kampionatit spanjoll kanë vulosur gjithçka që në 30 minutat e para falë golave të Ksavi, Pedro (2) e Mesi. Skuadra e drejtuar nga Tito Vilanova ka arritur të barazojë një tjetër rekord historik, duke regjistruar ndeshjen e 36-të radhazi në kampionat që shënon gol, një seri që mungonte prej 70 vitesh në kampionatin spanjoll. (LajmeShqip.com)
Primera Division
Java 18 / Rezultatet
Selta Vigo-Real Vajadolid 3-1
9’, 30’ (p) Iago Aspas, 52’ Aleks Lopez / 12’ (p) Bueno
Real Madrid-Real Sociedad 4-3
2’ Benzema, 35’ Khedira, 68’, 70’ Kristiano Ronaldo / 9’ (p), 40’, 76’ Ksabi Prieto
Barcelona-Espanjol 4-0
10’ Ksavi, 15’, 27’ Pedro, 29’ (p) Mesi
Majorka-Atletiko Madrid 1-1
87’ Kevin / 72’ Raul Garcia
Sunday, 06 January 2013 22:10