Lionel Mesi ka ndihmuar skuadrën e Barcelonës të vijojë serinë e fitoreve falë një paraqitje të shkëlqyer personale, ku ka shënuar dy gola dhe ka dhënë pasimin për tjetrin në suksesin 3-1 të ekipit të tij përballë Real Saragozës.
Në një ndeshje ku Barcelona nuk shkëlqeu si zakonisht, por edhe ku kundërshtari arriti të mbante shumë topin, argjentinasi ishte në një formë të jashtëzakonshme dhe zgjidhi telashet e Vilanovës me dy perlat e tij dhe një pasim po aq efikas për golin e Song. Me këtë sukses, katalanasit regjistrojnë fitoren e 11-të, duke kërkuar tashmë rekordin e fillimit më të mirë në historinë e kampionatit spanjoll, që mbahet nga Real Madrid i Antiç, që realizoi 12 fitore e dy barazime në 14 javët e para.
Pikërisht Real Madrid është kundërpërgjigjur me një provë force përballë Atletik Bilbaos, duke shkatërruar skuadrën baske me rezultatin 5-1. Benzema ishte protagonisti kryesor i kësaj ndeshje, duke qenë shkaktari i autogolit të Aurtenetse, e më pas duke shënuar vetë golin e tretë, ndërsa goli i dytë u shënua nga Serxho Ramos.
Ibai shkurtoi diferencën në fundin e pjesës së parë, ndërsa Bilbao kishte mundësinë të rihapte ndeshjen në minutën e 55-të, kur gjyqtari i mohoi një penallti të qartë për prekje topi me dorë në zonë të Koentrao. Megjithatë, në aksionin e radhës, Reali shënoi golin e katërt me Ozil, ndërsa Khedira mbylli ndeshjen me gjuajtjen e tij në minutën e 72-të. (LajmeShqip.com)
Primera Division
Java 12 / Rezultatet
Osasuna-Malaga 0-0
Valencia-Espanjol 2-1
16’ Viera, 90’ (p) Soldado / 31’ Longo
Barcelona-Real Saragoza 3-1
16’, 60’ Mesi, 28’ Song / 24’ Montanjes
Real Madrid-Atletik Bilbao 5-1
12’ (ag) Aurtenetse, 30’ Serxho Ramos, 32’ Benzema, 56’ Ozil, 72’ Khedira / 42’ Ibai
Sunday, 18 November 2012 00:08