Futbolli shqiptar është ndalur në shenjë zije për ndarjen nga jeta të gjyqtarit lezhjan Rigers Pjetrushi, i cili është aksidentuar për vdekje kur po kthehej nga Gjirokastra, ku kishte qenë pjesë e katërshes drejtuese në ndeshjen Luftëtari-Kastrioti.
32 vjeçari ka qenë në makinë bashkë me 3 kolegët e tij, Klodian Vargu, Edvin Hoxha dhe Ridiger Çokaj, ndërsa po udhëtonte drejt Lezhës për t’u kthye në shtëpi. Aksidenti në fjalë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës, në aksin Gjirokastër-Derviçan, pasi një makinë tip Benz që po udhëtonte në krahun e kundërt ka goditur makinën tip Volksvagen në të cilën udhëtonin gjyqtarët. Nga ky aksident ka mbetur i vdekur edhe një pasagjer në makinën Benz, ndërsa personat e tjerë në të dy makinat kanë pësuar dëmtime por janë jashtë rrezikut për jetën.
Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku, ka udhëtuar që në orët e para të mëngjesit drejt Gjirokastrës dhe ka qenë ai personi që ka konfirmuar se do të ndaleshin të gjitha ndeshjet e futbollit shqiptar (me përjashtim ato të të rinjve dhe të paratërinjve) në shenjë respekti dhe nderimi ndaj gjyqtarit që ka humbur jetën në këtë aksident tragjik.
“Federata Shqiptare e Futbollit, menjëherë sapo ka mësuar lajmin e aksidentit automobilistik në të cilin ka humbur jetën gjyqtari lezhjan Rigers Pjetrushi, ka marrë vendimin për të pezulluar të gjitha veprimtaritë futbollistike të ditës së diel. Kështu, takimet që ishin planifikuar të zhvilloheshin në Kategorinë Superiore dhe Kategorinë e Pare, janë shtyre për t’u luajtur të mërkurën. Vetëm ndeshja Skënderbeu-Flamurtari do të presë një datë tjetër pasi disa lojtarë të këtyre skuadrave janë të impenjuar me Kombëtaren ditën e mërkurë ne takimin miqësor Shqipëri-Kamerun ne Zvicër”, shkruhet në njoftimin e publikuar nga FSHF pas këtij aksidenti tragjik. (LajmeShqip.com)
Sunday, 11 November 2012 14:15