Trajneri përfaqësueses shqiptare të futbollit, Xhiani de Biazi, ka fajësuar lodhjen e lojtarëve të tij në minutat e fundit të ndeshjes për golin e pësuar, që i hoqi Shqipërisë 3 pikë të vlefshme në eliminatoret e Botërorit 2014.
“Unë ndjej shumë keqardhje, pasi kemi bërë një ndeshje të mirë ndaj një kundërshtari cilësor. Kemi dalë para porte në të paktën 5 raste. Në 45 minutat e para krijuam raste edhe para shënimit të golit, ndërsa te e dyta mund ta kishim mbyllur lehtësisht ndeshjen. Gjëja më e rëndësishme për mua është që skuadra përballoi kundërshtarin. Mendoj se në këtë ndeshje, problemi kryesor ishte se ata kanë avantazhin e kampionatit që është në mes, ndërsa lojtarët tanë ishin në fund të sezonit. Kjo është arsyeja pse në pjesën e dytë ne i dhamë atyre iniciativën”, tha trajneri italian.
“Në tre ndeshje radhazi kemi pësuar vetëm një gol. Sinqerisht, do të pranoja kurdoherë që Shqipëria në tre ndeshje radhazi ndaj Sllovenisë e Norvegjisë të pësonte vetëm një gol. Shpërqendrimi në fund është pjesë e mentalitet, por edhe e gjendjes fizike. Besoj se fitorja do të ishte shumë më e bukur, por vendi i dytë është shumë i mirë për momentin. Sot humbëm dy pikë por më shumë se kaq nuk mund të kërkojmë”, deklaroi De Biazi pas ndeshjes. (LajmeShqip.com)
Saturday, 08 June 2013 00:12