Xhani De Biazi, në konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes me Norvegjinë, ka paralajmëruar se kësaj sfide nuk duhej t’i jepej më shumë rëndësi sesa ka realisht, pasi gjithçka mund të ndodhte në 4 ndeshjet në vijim.
“Kjo ndeshje nuk është vendimtare dhe nuk i duhet dhënë rëndësi absolute, më shumë se ka realisht. E them këtë i ndërgjegjshëm se cilido qoftë rezultati i ndeshjes, fati i përfaqësues tonë përcaktohet nga ajo që do të bëjmë në 4 ndeshjet e radhës. Marrim shembullin që fitojmë me Norvegjinë, por humbim katër ndeshjet e mbetura, atëherë nuk shkojmë askund. Por mund të ndodhë edhe që nuk bëjmë rezultat në këtë sfidë, por fitojmë ato 4 pasardhëset”, shpjegoi trajneri italian.
Kush do të luajë në fushë e lojës sot ndaj Norvegjisë, do ta mësojë vetëm në drekë, pasi tekniku italian ka dyshime për një pozicion në rreshtimin e skuadrës, ndërsa ka vendosur të mbajë enigmë formacionin e tij.
“Nuk e kam vendosur formacionin, pasi kam dyshimet e mia për një rol të veçantë. Formacionin përfundimtar do ta vendos pas seancës së fundit që do të zhvillohet në mëngjes. Aty do të shoh situatën dhe do të vendos përfundimisht për të zgjidhur ato dyshime që kam”, shpjegoi De Biazi, i cili mendon se askush nuk duhet të nënvlerësojë Norvegjinë.
“Do të luajmë ndaj një kundërshtari të fortë, që ka shumë cilësi, forcë fizike dhe është një miks mes lojtarësh të rinj dhe atyre ekspertë. A mund t’i çuditim si në ndeshjen e parë? Nuk ma merr mendja, tani na njohin dhe janë të përgatitur për çdo gjë”, deklaroi trajneri italian. (LajmeShqip.com)
Friday, 07 June 2013 08:06