Kombëtarja shqiptare e futbollit ka regjistruar një tjetër hap pozitiv në renditjen e FIFA-s, duke u ngjitur tashmë në vendin e 43-të në botë, për të përmirësuar me 5 pozicione klasifikimin e muajit të mëparshëm. Skuadra e De Biasit, ka thyer kështu një tjetër rekord të historisë së saj në këtë klasifikim, duke u bërë pjesë tashmë e skuadrave më të mira të kontinentin evropian, por edhe atyre në të gjitha botën.
Me pozicionimin e 43-të në botë, të 24-tin në Evropë, Shqipëria ka lënë pas kombëtare të njohura në arenën e futbollit botëror që në vitet e fundit kanë qenë pjesë e fazës finale në aktivitete ndërkombëtare si Turqia, Bullgaria, Sllovakia, Sllovenia e Polonia.
Duke pasur parasysh se para se të dalë renditja e muajit të ardhshëm, Shqipëria mund të bëjë hapa të tjerë para falë ndeshjes zyrtare kundër Norvegjisë për eliminatoret e Botërorit 2014. Në rast fitoreje, atëherë kuqezinjtë mund t’i afrohen dhe të kalojnë skuadra të tjera në evropiane në renditje si Serbia, Irlanda e Ukraina, tre përfaqësueset e kontinentit tonë që janë më afër.
Klasifikimi evropian në këtë rast është edhe më i rëndësishëm se ai botëror, pasi nëpërmjet tij do të cilësohen edhe vazot e shortit për Euro 2014 që zhvillohen në Francë. Këtë radhë, pozicionimi sa më lart në vazo është shumë i rëndësishëm, duke pasur parasysh se në fazën finale të aktivitetit që zhvillohet në Francë do të marrin pjesë 24 skuadra nga 16 që kanë marrë pjesë më parë. Ndaj mundësia e pranisë së 3 skuadrave më të lehta në grup do të bënte më të thjeshtë arritjen e këtij objektivi nga përfaqësuesja që drejtohet nga italiani De Biasi. (LajmeShqip.com)
Thursday, 09 May 2013 18:32