Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biasi, ka vendosur që ndeshjen kundër Norvegjisë, të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2014, ta përgatisë në një mënyrë shumë të veçantë, pasi ka filluar grumbullimin “me pjesë”. Ndonëse nuk është publikuar ende lista e lojtarëve të grumbulluar për këtë takim, tekniku italian nis që sot punën me lojtarë të kampionatit shqiptar.
Ndonëse zyrtarisht kuqezinjtë do të mblidhen me 29 maj, trajneri ka vendosur që të punojë veçmas me futbollistët e kampionatit shqiptar, ku për momentin konfirmohen vetëm emrat e portierit Shehi, mbrojtësve Osmani e Arapi si dhe sulmuesit Plaku. Të tjerët pritet t’i bashkohen ekipit në ditët në vazhdim, bashkë me legjionarët.
Por situata për momentin është disi e çuditshme, pasi publikimi i listës së kombëtares për ndeshjen kundër Norvegjisë është peng i konfirmimeve që priten nga lojtarët e rinj që do të veshin fanellën kuqezi.
Pasi janë konfirmuar prania e Jurgen Gjasulës (Duisburg) dhe Ergys Kaçes (PAOK), ftesa janë dërguar edhe për Azdren Llullakun (Gaz Metan), Amir Abrashin (Grasshopers), Vullnet Bashën (Sion) dhe Ilir Berisha (Orebro). Por për momentin nuk ka ardhur asnjë konfirmim zyrtar të pranisë të të gjithë këtyre futbollistëve në listën anti-Norvegji, pasi ashtu si Loret Sadiku i Helsingborgs, Abrashi dhe Basha mund të jenë të detyruar të presin deri në shtator për të veshur fanellën kuqezi. Këta të fundit kanë luajtur me kombëtaret e moshave të Zvicrës dhe për këtë arsye do të presin leje nga FIFA për aktivizimin.
Po pikërisht situata e komplikuar me dokumentacionet e gjithë këtyre prurjeve të reja ka bërë që De Biasi të ruajë deri në minutat e fundit enigmën për listën e kombëtares shqiptare. Ky është vetëm problemi i parë trajnerit italian, i cili si problem më serioz do të ketë atë të përshtatjes sa më shpejt të emrave të rinj me pjesën tjetër të ekipit, duke mos harruar se këtyre futbollistëve u është premtuar një rol protagonisti me kombëtaren shqiptare, për t’i bindur që të refuzojnë përfaqësuese të vendeve të tjera që i ndiqnin me interes. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 22 May 2013 19:11