Kombëtarja shqiptare e futbollit është ndalur në një barazim 1-1 që ka pasur më shumë shijen e humbjes përballë Norvegjisë. Në stadiumin “Qemal Stafa”, të mbushur si rrallëherë, kuqezinjtë kanë zhvilluar një ndeshje të madhe, por nuk kanë arritur të çojnë deri në fund mrekullinë, pasi një pavëmendje në minutat e fundit ka bërë që në vend të 3 pikëve, të marrim vetëm 1 nga kjo sfidë.
Kuqezinjtë kanë dominuar, me De Biazin që kishte orientuar skuadrën drejt sulmit, duke ushtruar një presing të lartë, për të vënë në vështirësi kundërshtarin. Rastet e njëpasnjëshme që krijojnë kuqezinjtë nuk janë rastësi, ndërsa portieri mik vihet disa herë në vështirësi në pjesën e parë. Por nëse Salihi shpërdoron rastet që i shfaqen, Valdet Rama tregon të gjitha aftësitë e tij me një gol spektakolar që shfaq saktësisht të gjitha aftësitë e tij individualë. Driblim perfekt, sprint dhe pastaj gjuajtje milimetrike që ndalet vetëm në rrjetë. 1-0 dhe i gjithë “Qemal Stafa” feston këtë gol, që mbyll edhe pjesën e parë të ndeshjes.
Teorikisht duhej të ishte Norvegjia që duhej të sulmonte, por në fakt janë kuqezinjtë që krijojnë raste të tjera, duke iu afruar më shumë golit, sidomos me Salihin i cili detyron portierin të devijojë topin në traversë. Më pas, është Basha që nuk arrin të shtyjë topin në rrjetë, duke humbur një mundësi të artë për të mbyllur ndeshjen. Por kur nuk shënon, do të pësosh dhe ky rregull i artë i futbollit respektohet më së miri në minutën e 87-të, kur pas një goditje këndi të norvegjezëve, një nga lojtarët më shtatshkurtër të kësaj skuadre, Hogli, dërgon topin në rrjete me një gjuajtje me kokë.
Normalisht, një vit më parë, një barazim 1-1 ndaj Norvegjisë do të cilësohej një rezultat i mirë. Por fakti se tifozët largohen të mërzitur nga stadiumi “Qemal Stafa” tregon se si kjo kombëtare ka filluar të ketë pretendime më të mëdha se loja dinjitoze, siç e tregon fakti se pas 6 ndeshjesh të luajtura, vazhdon të mbajë ende vendin e dytë në renditjen e grupit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 08 June 2013 00:01