Barcelona duhet të falënderojë shumë herë Lionel Mesin, pasi pa argjentinasin, katalanasit tashmë nuk do të ishin vetëm një fitore larg titullit kampion. Futbollisti, edhe pse i dëmtuar dhe jo në formën e tij më të mirë, po bën diferencën për skuadrën e tij, siç ndodhi sot në suksesin 4-2 ndaj Betis, ku u desh hyrja e tij në fushën e lojës për të kthyer një ndeshje që ishte komplikuar shumë.
Ndonëse tifozeria e Barçës kishte thirrur në kor emrin e argjentinasit, Vilanova vendosi përsëri ta linte atë në stolin e rezervave, duke preferuar të aktivizonte Vijan në qendër të sulmit. Por planet e trajnerit të katalanasve morën një goditje të rëndë kur pas vetëm 2 minutash ishte Pabon që kaloi në avantazh miqtë. Barazimi i shpejtë i Sançez nuk është se zgjoi shumë Barcelonën, e cila vuajti shpesh përballë Betis. Për më tepër, miqtë mbyllën pjesën e parë në avantazh, falë një goli të Ruben Kastro.
Në pjesën e dytë, Barça u duk disi më e vendosur dhe falë insistimit të Vijës vjen edhe goli i barazimit në minutën e 56-të. Por sulmuesi lë fushën e lojës menjëherë pasi gjeti rrugën e rrjetës, me Vilanovën që vendosi të aktivizonte Mesin. Argjentinasit iu deshën vetëm 3 minuta në fushë që të dhuronte një perlë, duke kaluar në avantazh skuadrën e tij me një goditje dënimi mjeshtërore. As 10 minuta më vonë, ai ishte shumë pranë shënimit të një tjetër goli me goditje dënimi, thuajse identik me të parin, por këtë radhë topi u ndal nga traversa. Megjithatë, ai “shleu fajin” me golin e shënuar në minutën e 70-të, që çoi rezultatin në 4-2 duke mbyllur këtë ndeshje të komplikuar për skuadrën e tij.
Kur mbeten 4 javë nga fundi, Barça vazhdon të ketë një avantazh prej 11 pikësh ndaj Real Madrid të vendit të dytë dhe mund të shpallet kampion që në mesjavë, nëse Reali nuk fiton ndaj Malagas. (LajmeShqip.com)
Sunday, 05 May 2013 23:12