Real Madrid mund të gëzohet sepse Kristiano Ronaldo është kthyer përsëri në versionin e tij më vdekjeprurës për mbrojtjet kundërshtare pikërisht në momentin më vendimtar të sezonit. Portugezi ka qenë protagonisti absolut i fitores 3-0 të Real Madrid në fushën e Atletik Bilbaos, duke lëshuar një paralajmërim të qartë ndaj çdo kundërshtari që madrilenët do të kenë para deri në fundin e sezonit.
Ylli i madrilenëve tregoi talentin e tij të jashtëzakonshëm që në minutën e parë të ndeshjes me një goditje dënimi spektakolare që përfundoi në rrjetën e portës së mbrojtur nga Iraizoz. Më pas, vendasit e drejtuar nga Bielsa u munduan në të gjitha mënyrat të barazonin rezultatin, por pa sukses, pasi Diego Lopez vazhdon të shkëlqejë me pritjet e tij vendimtare, duke bërë gjithnjë e më të pamundur kthimin e Kasijas mes shtyllave të skuadrës madrilene.
Por në minutën e 69-të të ndeshjes, Ronaldo tregoi një tjetër “specialitet” të tijin, duke goditur me kokë në mënyrë perfekte pas goditjes së Ksabi Alonso për të dërguar topin poshtë kryqëzimit të shtyllave, për të dyfishuar rezultatin. Më pas, portugezi plotëson ndeshjen perfekte duke dhënë pasimin për golin e tretë, të shënuar nga Higuain në minutën e 75-të, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-0 për madrilenët. (LajmeShqip.com)
Sunday, 14 April 2013 23:09